Fjalëshumë për Islamin pa punë frutdhënëse

Shejkh Muhamed El-Gazali

Kur shikoj të zotin e një profesioni prej profesioneve të rëndësishme, të paaftë në punën e tij, apo dështak në përsosjen e saj, ndiej keqardhje!

Ndërsa, kur këtë njeri të paaftë e dështak e gjej duke folur për fe dhe fjalëshumë në disa çështje fikhu, juridike, atëherë zemërohem!

Kjo, sepse ky fjalëllëk këtu është perde për të fshehur neglizhencën dhe përsosje e mashtrimit!

Çfarë do të ishte për zanatçin dhe profesionistin ta adhuronin Allahun duke e bërë mirë punën e tyre? Dhe shfaqjen e saj në formën më tërheqëse?

S'ka dyshim që aftësia profesionale dhe drejtuese është punë e devotshme sikur namazi dhe agjërimi dhe është e pamundur që një popull të zhvillohet, apo një mesazh të ketë sukses, përveç në qoftë se arrin të sigurojë një ushtri prej specialistësh dhe drejtuesish të aftë.

Ai, i cili plaçkën e tij e paraqet në formë të shpifur dhe me pamje të përmbysur nuk i bën dobi të përmend disa dispozita juridike!

Përmendja e këtyre dispozitave nuk është argument i plotësisë, madje mund të jetë një lapsus në të folur, bisedë rreth një të mete, apo zgjatje e gjuhës ndaj dijetarëve, sikur ai u thotë atyre: Nuk jeni më të mirë, sepse edhe unë e di atë që ju e dini!

Ndoshta mund të thuash: Kjo është thirrje për monopol të diturisë fetare dhe kufizimin e saj vetëm për një grup të caktuar, ndërsa Islami e refuzon këtë thirrje, sepse ai nuk ka grup të veçantë klerikësh, apo njerëz të fesë!

Ju përgjigjem: Thirrja për specializim është tjetër nga thirrja për monopolizim dhe belaja e ymetit islam ka ardhur nga ato grupe pseudo nxënësish që nuk dinë të japin fetva, nuk i japin të drejtë të vërtetës, nuk e përfundojnë çështjen, nuk dinë të vlerësojnë sasitë, të cilat shërojnë sëmundjen dhe as përcaktimin e diagnozës që ankohet shoqëria. Këta tipa me këtë injorancë bëjnë dëm dhe jo dobi.

Ragib El-Asfahani e ka ndaluar zgjerimin e panevojshëm në dituri të njerëzve me profesione të ndryshme për çfarë nuk kanë nevojë në aftësinë e zanatit; dhe ka menduar se për forcimin e besimit të tyre u mjafton çfarë është në Kur'an prej nxitjes për mirë e ndalim nga e keqja dhe për t'i larguar ata nga çështjet kontradiktore dhe burimet e dyshimeve!

Ka thënë: Në qoftë se ndonjëri prej tyre detyrohet nga thënie të kota, bidate të dukshme dhe kureshtje për të mësuar dhe për të shqyrtuar e sprovojmë dhe në qoftë se është me kuptim të mprehtë dhe imagjinatë të saktë e ndihmojë duke i shpjeguar dhe thelluar derisa t'i hiqet meraku.

Dhe, në qoftë se është me qëllim të lig, kërkues i debatit dhe sa për t'u dukur e ndalojmë që të mos ia arrijë qëllimit të tij!

Përsëri El-Asfahani thotë: Ne duhet t'i përkushtojmë këta specialistë dhe prodhues drejt punëve të tyre, pa të cilat ymeti nuk mund të bëjë. Dhe, duhet që të ndërhyjmë mes tyre dhe merakut me pak dituri dhe zemër të butë ...

Pastaj, El-Asfahani na sjell këtë tregim: Një i paditur prej këtij lloji e pyeti një të urtë për një mesele në fe, por ai u largua dhe nuk i dha përgjigje!

Pyetësi i tha: A nuk e ke dëgjuar të Dërguarin (a.s): "Kush pyetet për një dituri, të cilën ai e di dhe e fsheh, atij do të vihen frena zjarri në Ditën e Kiametit?"

I urti tha: Si jo, e kam dëgjuar! Por, i lë frenat këtu dhe shkoj! Po të vijë ndonjë njeri, të cilit dituria ime i bën dobi dhe unë e fsheh atë, atëherë le të mi vënë  frenat e zjarrit!

E vërteta është se, disa njerëz flasin për Islamin, e në fakt feja do të dëshironte të heshtin dhe të mos iu dëgjohej zëri. Dhe, pikëllim është se ata janë shtuar në këto ditë të vështira, ku thuajse vrimat janë bërë më të mëdha se arnat.
 

Përktheu
Lavdrim Hamja