Pse…?

Naim Drijaj
       Imam i xhamisë, Parrucë

Pejgamberi a.s. është personaliteti i pashoq në histori, i cili ka ndryshuar rrjedhën e njerëzimit dhe të shoqërisë njerëzore duke u përcjellur atyre parime dhe praktika me anë të të cilave mund të arrihet lumturia në këtë jetë dhe në tjetrën. Ai është gërshetimi i virtyteve të ndritshme dhe pasqyra e një shëmbëlltyre të lartë. Ndër shkaqet për të cilat duhet ta studiojmë dhe përvetësojmë historinë e Pejgamberit a.s. janë tre:

Shkaku i parë është se përvoja më e sukseshme, në zhvillimin e një populli, në gjithë historinë e njerëzimit, është përvoja e Pejgamberit a.s.

Muhamedi a.s. në një periudhë shumë të shkurtë e ktheu vendin e tij  nga një popull i cili merrej me kullotjen e deleve në një popull që udhëheqi botën. 

Të gjithë personalitetet e mëdha të botës, kanë lënë ndikimin e tyre vetëm në kohën që kanë jetuar. Aleksandri i madh, Volteri, Platoni, Gandi etj…ndikimin e patën për një periudhë të caktuar kohe. Kurse ndikimi që la Pejgamberi a.s. vazhdon dhe do të vazhdojë deri ditën e kijametit.

Shkaku i dytë për të cilin e studiojmë historinë e Pejgamberit a.s. është se të gjithë kemi nevojë të kemi një shembull që të na udhëheqë në jetë. Për këtë nuk do të gjesh shembull më të mirë se Pejgamberin a.s.

Muhamedi a.s. është shembull si prijës fetar, kryetar shteti, shembull me durimin dhe nënshtrimin e tij në kohë dhe rrethana të vështira, shembull butësie dhe dhembshurie ndaj anëtarëve të familjes, shembull me mëshirën e tij ndaj të dobtëve, të vetmuarve, robërve e skllevërve, dhe me faljen dhe mirëkuptimin ndaj gjynahqarve dhe gabimtarëve.

Nëse ti je një njeri i pasur, mendo për thjeshtësinë dhe bujarinë e Pejgamberit a.s.

Nëse ti je njeri prej të dobtëve, merr shembull prej jetës së Pejgamberit a.s. që ka jetuar në Mekkë nën regjimin e padrejtë dhe mizorë të politesistëve!

Nëse je mësues, mendo për Pejgamberin a.s. që u mësonte shokëve të suffës urdhrat hyjnore duke u përcjellë atyre frymëzimin e zemrës së tij të ndjeshme!

Nëse ti je nxënës, përfytyro Pejgamberin a.s. se si qëndronte para Xhebrailit a.s. që i sjelltë shpalljen!

Nëse ti je predikues që jep këshilla ose një prijës, kujto Pejgamberin a.s. se si i këshillonte dhe u shpërndante urtësi shokëve të tij.

Nëse je gjykatës, mendo zgjidhjen e tij të zgjuar e të drejtë për të vendosur Gurin e zi në Qabe ndërsa fiset mekase ishin gati t’ia këpusin kokën njëri-tjetrit për këtë gjë!

Shkaku i tretë është se ai është personaliteti më i madh në historinë e njerëzimit. Të gjithë personalitetet e medhenj në historinë e njerëzimit, janë dalluar vetëm në një fushë të caktuar. Shekspiri ishte i njohur në fushën e shkrimit. Napoleoni në forcën ushtarake.

Gandi njihej në politikë. Volteri në ideologji. I vetmi që posedonte të gjitha format e madhështisë është Pejgamberi a.s.

Herakliu i Romës, kishte dëgjuar që në qutetin e tij, gjendej një burrë nga populli i Muhamedit. Ai ishte Ebu Sufjani, një nga armiqtë më të egër të Pejgamberit a.s. në atë kohë. Herakliu dërgon njerëz që ta sjellin për ta pyetur rreth Pejgamberit. Pra mbreti i Romës do të pyeste rreth Pejgamberit, njërin nga armiqtë e tij të egër. Vallë cfarë do t’i thotë Ebu Sufjani?

Herakliu pasi u takuan e pyeti: “Nga c’familje dhe c’fis vjen ky njeri?”

Ebu Sufjani iu përgjigj: “Ai vjen nga familja dhe fisi më i mirë”.

Herakliu: “A është mashtrues dhe i pabesë?” Ebu Sufjani: “Jo”.

Herakliu: “A ishtohen pasuesit apo i pakësohen?” Ebu Sufjani: “Në fakt, i shtohen”.

Herakliu: “A ka ndonjë prej pasuesve të tij që e braktis fenë e tij i pakënaqur prej tij?”

Ebu Sufjani: “Jo”.

Herakliu: “Cfarë i urdhëron të bëjnë?”

Ebu Sufjani: “I urdhëron të falen, të flasin drejt, i urdhëron në pastërti morale dhe të shkojnë mirë me farefisin”.

Herakliu: “Nëse është i tillë ai për të cilin po flasim, dije se vendi ku po qëndroj unë, një ditë do të jetë nën pushtetin e tij”.

Pejgamberi a.s. ngjason me një pishtar që i ndriçon udhën kujtdo që dëshiron ta ndjekë rrugën e drejtë dhe të arrijë suksesin në të gjitha fushat e jetës. Ai ishte i butë dhe i ëmbël, kurrë nuk ofendonte apo përbuzte njeri, duke hyrë kështu në zemrën e njerëzve, madje duke fituar edhe respektin e armiqve të tij. Ai ishte njeri i së vërtetës dhe e urrente shumë gënjeshtrën.