Në përkujtim të profetësisë së fundit

Arben Halluni
       Teolog

 
Përkujtimi i vulës së  profetësisë, kunora e të gjithë të dërguarve të Allahut xh.sh nuk është  gjë e lehtë për gjuhën e njeriut të përmend virtytet dhe tiparet e pakrahasueshme që  posedoi zotëria i zotërinjve, mësuesi i mësuesve, udhëheqësi i udhëheqësve dhe burri më i kompletuar i njerëzimit. Si atë(Profetin Muhamed) nuk e gjen në asnjë vend, në asnjë kohë dhe në asnjë brez. Ditëlindja e Profetit të fundit të Islamit ishte ditëlindja e drejtësisë dhe e të vërtetës. E dërgoi Allahu xh.sh në një kohë që njerëzit njihnin dhe praktikonin vetëm humbjen e përgjithshme të udhëzimit, prishjen e përsonalitetit dhe shkeljen e identitetit. Profeti Muhamed a.s në vendin e tij të lindjes i gjeti zemrat e njerëzve të prishura me mendje të çoroditura, ku në vend të Krijuesit të gjithësisë adhuronin statuja, në vend të Allahut xh.sh i luteshin idhujve, në vend të të Madhit Zot kërkonin ndihmë e ndërmjetësim tek idolet të përbëra prej durri, guri etj,  punuar nga dora e njeriut. Pra toka ishte mbushur me bestytni, besime të kota dhe iluzione. Toka që është bërë mundësi për të jetuar në besim të drejtë dhe në jetë të dobishme ishte mbushur me  sundimtarë të padrejtë dhe të fuqishëm të cilët shfrytëzonin injorancën e humbjen e popullit.

Në këto kushte mëshira e Allahut xh.sh reflektoi mbi robërit e Tij, duke zgjedhur e dërguar një burrë të pashembullt që me Librin e fundit Hyjnor, Kur’anin famëlartë do të shpëtonte fatet e lumtura të njerëzve nga arroganca dhe rrebeshi i zhdukjes së devocionit Islam. I pajisur me urtësinë e Krijuesit të tij mundi të hedhë dritë mbi të humburit, i kthej njerëzimit nderin dhe prioritetin e munguar, i bëri që të adhurojnë Krijuesin e vetëm,  i pastroi nga çdo gjë e ligë, i liroi nga prangat e robërisë dhe duke u bazuar në fjalët e Kur’anit u dha mundësi që nderimi dhe dallueshmëria të jetë vetëm me devocion e përkushtim ndaj Allahut xh.sh.

Në qoftë se fetë paganiste dhe doktrinat e shtrembëra filozofike kanë mbyllur para njerëzve në përgjithësi dhe  ithtarëve të tyre në veçanti portën e mirësisë e janë zhytur në materializëm e murgizëm, legjislacioni Islam qëndron në mes materies e shpirtit dhe në mes botës lëndore dhe Ahiretit. Islami me sheriatin e tij i bëri myslimanët popull më i përzgjedhur e shembull për të tjerët në lidhje me udhëheqjen e botës me cilësitë më të përkryera, duke ecur sipas vijës  kur’anore dhe porosive profetike. ”Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqia dhe të besoni Allahun” (Ali Imran, 110)

Njeriu pa dyshim ndihet  i lumtur dhe ndjen kënaqësi kur e përmend këtë zotëri të nderuar dhe aq më tepër kur shkruan për figurën e ndritur të tij dhe i drejtohet atij sikur po komunikon me të duke e lavdëruar për çdo meritë të tij.

Resulull-llahi a.s. ishte shembulli më i mirë dhe më i lartë në fjalë, në vepër, në çështjet e shtëpisë e të popullit; ishte shembull në paqe, në luftë e në të gjitha zhvillimet e jetës. Ai ishte   jolakmues ndaj ledhatimeve mashtruese të kësaj jete materiale siç e kanë qëllim jete disa njerëz të mjerë. Sa herë që i vinin të dërguarit të Allahut xh.sh dhurata të larmishme nga mbretër e princër nuk ushtronin ndikim gjë tek ai. Ai përkundrazi ishte i qëndrueshëm në misionin e tij, nuk ndikonte tek ai asnjë pozitë e lartë e afruar, asnjë pasuri e bollshme e paraqitur dhe asnjë fëmër e bukur e propozuar me qëllim që të  braktiste e të largohej nga Revelata Hyjnore. Një herë kur Profeti Muhamed a.s. u ballafaqua me ledhatime mashtruese nga arrogantët e tokës u përgjigj duke  thënë: “Sikur në dorën time të  djathtë të vendosej dielli dhe në dorën e majtë të vendosej hëna me qëllim për t’u  shmangur nga misioni i ngarkuar Hyjnor, nuk do ta braktisja këtë fe edhe po të përballesha me asgjësim fizik…”.  Feja Islame ka nevojë sidomos në këtë kohë për këtë shembull të përkryer të një strategu të pashoq, i cili hapi zemrat e njerëzve për të mbërritur drejt vlerave të larta shpirtërore, morale e edukative.

Jo vetëm kaq por ne në muajin e ditëlindjes së nderuar(Mevludit Sherif) përkujtojmë modestinë e butësinë e tij, mëshirën  e dhimbshurinë e tij, e cila u reflektua me faljen e përdhunimit të mushrikëve(poleteistëve) në kohën e tij. Ja se çfarë ka shprehur ky zotni fisnik kur një herë u përball me agresionin e tyre: “O Zot, fale popullin tim, sepse nuk di se çka bë”.   

Përveç saj ne kujtojmë burrërinë e trimërinë e tij në çdo aspekt të jetës e cila u karakterizua me mbrojtjen që i bëri fesë së vërtetë të Allahut në çdo kohë e në çdo vend, duke mbrojtur çdo gjë të shenjtë ashtu siç veprojnë sot me besnikëri shumë myslimanë të botës. Aq i pakrahasueshëm ishte i dërguari i Alahut xh.sh sa  që kur fitonte luftën nuk tejkalonte gëzimin e fitores, si në luftën e Bedrit dhe as  hidhërimin e humbjes si në luftën e Uhudit, kur kjo e fundit ndodhi si rrjedhojë e mos zbatimit nga ana e disa shokëve të tij të urdhërave profetike, për të cilën morën një mësim të rëndë.

Gjithashtu myslimanët në këtë muaj të ndritur përkujtojnë dashurinë që Profeti i Islamit, Muhamedi a.s ka pasur për paqen. Ai a.s. gjatë gjithë jetës së tij i ftonte politeistët për pajtim e paqe, sepse Islami ngrihet mbi vëllazërim, dashuri, liri, barazi e paqe. Ndërsa lufta për te dhe për të gjithë ithtarët e tij ishte dhe është  një gjë e jashtëzakonshme dhe e padëshiruar. Ajo mund të përdoret si mjet vetëm kur nuk ka rrugë tjetër për tu mbrojtur nga e keqja e armiqve. Tregohet se Imam Aliu (r.a) dëshironte që djalit të tij të parë t’i vinte emrin Harb(Luftë), por me këshillën e Profetit a.s e quajti Hasan. Mbas një kohe mendonte përsëri që djalit të dytë t’i vinte emrin  Harb(Luftë), por me porosinë e Profetit Muhamed a.s e quajti Husejn…

Si përfundim ne përkujtojmë në muajin e Mevludit jetën e veprën e udhëheqësit e të kryemësuesit tonë shpirtëror, dhe edukatorin e shembulltyren e plotë të Profetit të fundit, kunorën  e mbarë profetëve, “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit”.(El-Kalem, 4)…