Elhamdulil-lah për mirësinë e udhëzimit në dritën e besimit!
Myfti i Zonës Shkodër
										 Para 
										dy netësh, një profesor imi shumë i 
										dashur në Damask, kishte publikuar në 
										një prej rrjeteve sociale në internet 
										historinë e dy të rinjve muslimanë nga 
										qyteti i Medines në Arabinë Saudite. 
										Historia e këtyre dy të rinjve, është 
										historia e shumë prej nesh, e shumë prej 
										të rinjve edhe në qytetin tonë… Është si 
										të thuash, pasqyrim i një realiteti në 
										jetën e secilit, ndonëse në formë, lloj 
										e dimension të ndryshëm…
Para 
										dy netësh, një profesor imi shumë i 
										dashur në Damask, kishte publikuar në 
										një prej rrjeteve sociale në internet 
										historinë e dy të rinjve muslimanë nga 
										qyteti i Medines në Arabinë Saudite. 
										Historia e këtyre dy të rinjve, është 
										historia e shumë prej nesh, e shumë prej 
										të rinjve edhe në qytetin tonë… Është si 
										të thuash, pasqyrim i një realiteti në 
										jetën e secilit, ndonëse në formë, lloj 
										e dimension të ndryshëm…
            
										Ata të dy, vendosën të largohen nga 
										qyteti i tyre (e ndriçuara Medine) dhe 
										të udhëtonin drejt Stambollit, qytetit 
										të madh e të bukur, ku përzihet shpirti 
										i pastër e mistik islam, me prekjet e 
										lirive të pakontrolluara e të shthurrura, 
										në emër të ngopjes së egos së sëmurë…
            
										Kishin vendosur të pinin, të deheshin e 
										të dëfrenin pa kufij. Kishin blerë disa 
										shishe me lloje të ndryshme pijesh 
										alkoolike dhe ishin drejtuar për të 
										marrë një dhomë hoteli për të kaluar 
										netët e udhëtimit të tyre plot “netë 
										ëndrrash”…
            
										Në hyrje të hotelit, sportelisti, me të 
										diktuar se klientët e tij ishin nga 
										qyteti i Medines (qyteti i Resulull-llahit 
										dhe të Dashurit të Zotit), ishte gëzuar 
										aq shumë sa u kishte servirur jo një 
										dhomë të zakonshme, por suitën më të 
										mirë që kishin në atë hotel. Si jo, ata 
										ishin banorë në një vend me Resulull-llahin 
										(a.s)!
            
										Atë natë, dy të rinjtë kishin pirë aq 
										shumë, sa mezi qëndronin në këmbë. Në 
										atë gjëndje, kishin fjetur dhe në 
										mendjen e tyre çdo gjë shkonte sipas 
										parashikimeve dhe dëshirës së tyre për 
										dëfrim…
            
										Diku nga ora 4 e mëngjesit të ditës së 
										nesërme, trokitjet e matura të derës së 
										tyre u bënë shkak për prishjen e gjumit. 
										Kush ishte? Çfarë kërkonte në atë orë jo 
										të zakontë për të trokitur në derë?
										
										
										Njëri prej dy të rinjve, me njërin sy të 
										hapur e tjetrin të mbyllur nga lodhja e 
										natës së shkuar, u ngrit dhe mezi e hapi 
										derën. Pas saj qëndronte sportelisti me 
										fytyrë të qeshur. 
            
										Më falni zotëri, - i tha me gjysëm zëri, 
										- këtu pranë nesh ka një xhami. Pasi 
										mësoi për ardhjen tuaj dhe pushimin në 
										hotelin tonë, imami i xhamisë refuzoi të 
										drejtonte njerëzit në namazin e sabahut, 
										ndërkohë që ju jeni prezentë në mesin 
										tonë! Ai ka lajmëruar xhematin dhe ata 
										duan që njëri prej jush të falet sot 
										imam! Prandaj, po ju lajmëroj që të 
										bëheni gati dhe të na nderoni me 
										zbritjen tuaj në xhami.
            
										I riu saudit, i tronditur nga fjalët e 
										sportelistit, zgjoi me të shpejtë shokun 
										e tij dhe i tregoi për bisedën në derë 
										të suitës. E pyeti nëse dinte ndonjë 
										sure nga Kur’ani, sepse ai për vete nuk 
										dinte as Fatihanë. Shoku i dhomës, i 
										tronditur nga fjalët që kishte dëgjuar 
										dhe situatën e krijuar, i tha, se përveç 
										Fatihasë dinte edhe “Kul huvell-llahun” 
										dhe asgjë tjetër. Ndërkohë, dera trokiti 
										sërish… Ishte sërish sportelisti me 
										fytyrë të qeshur… “Zotëri, koha po kalon 
										dhe njerëzit po presin! Ju lutem 
										shpejtoni!”- tha dhe u largua.
            
										Dy të rinjtë, pasi u lanë, u veshën dhe 
										u parfumosën zbritën në xhami. Ç’të 
										shihnin, xhamia ishte tejmbushur si të 
										ishte ditë bajrami… Kishin ardhur dy të 
										rinj nga qyteti i pejgamberit (a.s)… 
										Njerëzit i shihnin me buzëqeshje e shumë 
										përzemërsi. Dikush i përshëndeste me 
										dorë në zemër e dikush tjetër duke 
										zgjatur kokën, përpiqej të tregonte 
										kureshtjen legjitime për dy vizitorët 
										specialë të kësaj dite…
            
										Muezini këndoi ikametin dhe njëri prej 
										dy të rinjve, në mihrabin e imamit, nisi 
										të këndonte Fatihanë dhe “Kul huvell-llahun”, 
										të cilin e përsëriti edhe në rekatin e 
										dytë… 
										Pas përfundimit të namazit, njerëzit nuk 
										kishin të sosur, teksa i përqafonin dhe 
										këndonin salavate, si për të kujtuar 
										Zotërinë e bijve të Ademit, që pushon në 
										Medine, prej nga kishin ardhur dy të 
										rinjtë…
            
										U kthyen në hotel. Në suitën e tyre, ata 
										shikonin njëri-tjetrin dhe qanin pa 
										pushim. Ishin lotët e pendimit të tyre. 
										Zoti i gjithësisë i kishte marrë për 
										dore drejt këtij vendi, për t’i udhëzuar 
										në pendim, pas hutimit dhe shthurrjes së 
										tyre… Subhanall-llah..! Rrëfimi tregon 
										se sot, njëri prejt dy të rinjve, është 
										ndër thirrësit islamë më të suksesshëm 
										të kohës…
            
										Kur e lexova këtë ngjarje, m’u kujtuan e 
										më erdhën para sysh shumë të rinj 
										muslimanë të kësaj kohe që jetojnë të 
										hutuar nga drita e besimit, ndonëse ditë 
										pas dite zëri i muezinit dhe ezani i 
										besimit i fton të kthehen e të trokasin 
										në dyert e pendimit…
            
										M’u kujtuan lokalet e shumta që gëlojnë 
										nga të rinj, që për të kaluar kohën e 
										për ta vrarë në heshtje atë, konsumojnë 
										alkool, dehen në zhurmat e muzikës e 
										shoqërisë së lokaleve të natës…
            
										Me zemër u luta që edhe ata, ta gjejnë 
										dritën e udhëzimit, të trokasin në derën 
										e pendimit, në të cilën të gjithë ne 
										duhet të trokasim një ditë, ditë pas 
										dite, gjynah pas gjynahi, gabim pas 
										gabimi. Sepse, të gjithë ne gabojmë, 
										bëjmë gjynahe, i hyjmë në hak 
										njëri-tjetrit, vrasim me fjalë e prekim 
										aty ku nuk duhet prekur.., sepse jemi 
										humanë, jemi njerëz e, njeriu gabon!  
										
										Por, fisnikëria e njeriut qëndron edhe 
										në forcën për t’u penduar e për të 
										kërkuar falje, aty para duarve të Zotit, 
										në heshtjen e pritjes së një rreze drite 
										që sinjalizon pranimin, pas së cilit 
										syri gjallërohet me një rrëkezë loti që 
										jep sihariqin e mirë se dera në të cilën 
										kemi trokitur, është hapur…   
            
										E lexova këtë ngjarje dhe me zemër 
										thashë: Elhamdulil-lah për mirësinë e 
										udhëzimit në dritën e besimit! 
            
Shkodër, 15 janar 2013
              
										

