Nevoja jonë për bashkëpunim dhe vëllazërim
Shejkh Muhamed El-Gazali
Hatibi
i një xhamie mu ankua se eprorët e tij
ia kishin tërhequr vëmendjen duke e
kritikuar!
I thashë: Përse?
Tha: Sepse unë, në hytben e Fitër
Bajramit, kam dhënë fetva se, nxjerrja e
vlerës së zekatit nuk e shlyen detyrimin
e zekatit dhe kundërshtova Ebu Hanifen e
mendimin e tij për këtë çështje!.
I thashë: Përse e ke bërë këtë gjë?
I zemëruar më tha: Vendosa të ndjek
medhhebin e të parëve (selefëve), a
është krim kjo gjë?!
Iu përgjigja me qetësi: Ti, pa dyshim,
që nuk je më i ditur për medhhebin e të
parëve (selefëve) se sa shejkhul islam,
Ibn Tejmije, i cili e ka lidhur vendimin
me përfitimin e fukarasë, duke e lejuar
nxjerrjen e vlerës së zekatit, në qoftë
se vlera e tij është më e dobishme dhe
më e dashur për fukaranë! A e ke lexuar
se çfarë ka thanë autori i Fet'hul
Barit, Ibn Haxher El-Askalani për këtë
mesele, çështje?!
E kuptova se hatibi i fetvasë nuk ia
kishte fort idenë për thëniet e
dijetarëve rreth kësaj teme dhe
megjithatë ai kishte vazhduar në
kundërshtimin e medhhebit Hanefi dhe Ebu
Hanifes!
I thashë: Në librin "Fikhu Zekat", të
Karadavit gjendet një përmbledhje e
gjithë thënieve të transmetuara nga
dijetarët tanë të mëdhenj për zekatin,
dhënien e vlerës së tij dhe cilën prej
tyre duhet zbatuar?.
Madje, edhe ti mund ta dish se, zekati
është urdhëruar për interesin e fukarave,
jo për mundimin e tyre dhe se Umer ibn
Abdulaziz, i cili është kalifi i V
rashidinë, ka nxjerrë vlerën e zekatit
dhe sharja e tij është e ndaluar! Dhe
se, ai dhe Ebu Hanife nuk kanë hapur
ndonjë zgavër në fe kur kanë vepruar në
këtë mënyrë.
Pastaj, mimberi është për dhikrin,
përmendjen e Allahut dhe mbrojtjen e
sheriatit të Tij dhe jo për të
mbështetur një medhheb të veçantë ndaj
një medhhebi tjetër; çfarë të ka shtyrë
e të ka mashtruar të sillesh kështu ndaj
Ebu Hanifes e ta zhvlerësosh atë?.
Një koleg yti në Kajro ka thënë: Shafiu,
ai e ka prishur Kajron! Një tjetër në
Algjeri ka thënë: Maliku e ka gabuar
Synetin dhe nuk ka ditur ta ndjekë
atë...
Të katër Imamët e Mëdhenj, ata janë
korifenjtë e të parëve, selefëve dhe
kompetentët e fesë. Përse e harroni
edukatën ndaj tyre, ndërsa me të tjerët
silleni të edukuar?!
Ka shumë prej nxënësve të dijes që
sillen keq ndaj të parëve (selefëve) në
emër të selefizmit dhe unë për këtë ua
tërheq vëmendjen këtyre pseudonxënësish
dije të mangët.
Do të kishte qenë më mirë për këtë folës
që ta studionte xhematin e xhamisë, t'i
gjente varfrit, të cilët janë bllokuar
në rrugë të Allahut dhe nuk ia shtrinë
dorën askujt për të lypur, e t'i
orientonte nga ta pasanikët dhe
bamirësit, sepse po të japin pare në
vend të elbit nuk e zhvlerëson
kontributin e tyre dhe nuk e prishin
unitetin!.
Me të vërtetë kemi korrur përçarje dhe
armiqësi prej njerëzve me gjuhë të
verbra. Nuk gjej ditë, ku myslimanët të
jenë kaq të varfër për bashkëpunim dhe
vëllazërim se në këto ditë të turbullta!
Prandaj, le ta kenë frikë Zotin hatibë
që dëmtojnë më shumë se sa bëjnë dobi
dhe le të lexojnë më tepër, pasi kemi
dëgjuar se dikur kanë thënë: Dituria
është nur, dritë.
Përktheu nga
arabishtja
Lavdrim Hamja