Myftiu: “Xhamitë janë varfëruar nga mungesa e mexhliseve të dhikrit!”
Ditën e xhuma, më 13
dhjetor 2013, nëpërmjet minberit të
xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka bërë thirrje për
kthim nga dhikri, si mundësia më e mirë
për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe
shfaqjes së individit musliman në jetën
e përditshme.
Gjatë hytbes së tij, Myftiu ka përmendur
se prej kohësh mendime dhe ideologji të
ndryshme të prodhuara nga jomuslimanët,
po prekin thelbin e Islamit, duke bërë
që në mesin e besimtarëve të hyjë
dyshimi, injoranca dhe fryma e
përçarjes.
Myftiu ka kritikuar modelet e reja të
disa personave që shfaqen nëpër xhami,
duke mos kryer synetet, duke u larguar
nga virdet e dhikrit e duke tërhequr pas
vete edhe besimtarë të rinj, që gënjehen
pas shfaqjeve të jashtme të këtyre
personave.
“Në fakt, po të vështrojmë me vëmendje,
do të gjejmë se urdhëri më i spikatur në
Kur’an është ai për të përmendur All-llahun;
dhikri, si thelbi i besimit dhe fesë
islame. Sepse All-llahu do që ne të jemi
eulijatë e Tij, të mbrojtur e të
udhëzuar prej Tij në çdo moment të
jetës. Ndërsa, ajo që shohim kohët e
fundit është varfërimi i xhamive nga
mungesa e mexhliseve të dhikrit, dalja
në skenë e një fryme injorante që hedh
baltë mbi dijetarët dhe eulijatë e
mëdhenj të botës tonë, që na e mësuan
dhikrin dhe dashninë e All-llahut, si:
Sejjidi Ahmed Er-Rifai, Imam Gazali,
Imam Ibn Tejmije, nxënësi i tij Ibnul-Kajjim,
Ebu Hanife, Imam Neveviu etj. Kjo
përbaltje u forcua edhe nga injoranca e
madhe e shfaqur në shumë prej pasuesve
dhe drejtuesve të paditur të tarikateve
islame, që prodhuan modele të devijuara,
që njollosin jo vetëm fenë islame, por
edhe dijen dhe dijetarët. Por, ky
fenomen, nuk na ndalon që të ringjallim
traditat e kthimit nga dhikri, duke u
frymëzuar nga ajetet kur’anore dhe
hadithet profetike. Individi musliman,
duhet të ketë një murshid në jetën e
tij, një prijës, një imam, prej të cilët
të mësojë fenë, dashninë, dhikrin, ashtu
si na e ka mësuar profeti (a.s), sahabët
dhe pasuesit e tyre brez pas brezi.” –
ka thënë Myftiu.
Gjatë hytbes, Myftiu i është referuar
ajeteve dhe haditheve të ndryshme që
nxisin dhikrin dhe shpjegojnë mirësinë e
madhe, me të cilën All-llahu e ka veçuar
ymetin islam nga ymetet e tjera, duke e
bërë dhikrin udhërrëfyes për jetën e
muslimanit.