"Kam uzdajë se Zoti ka me e kthy kte popull"…
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Dita e sotme, një
ditë e zakonshme pune, në limitet e një
të tretës së parë të këtij muaji
në fund-vit, u pasurua nga takimi i
përzemërt me një plak të mirë e të urtë
në fshatin Barbullush. Është
mirësi e Zotit, kur takohesh me njerëz,
në sytë e të cilëve bashkohet bardhësia
e viteve, drita e besimit dhe bekimet e
ditëve, që pasurohen e bukurinë e
ndjekjes së xhamisë së re që hedh shtat,
me mbarësinë e All-llahut…
Dita
e sotme, një ditë e zakontë dhjetori, e
ftohtë, por e përzier me rreze dielli,
që vendos ekuilibër në natyrën e bukur
të Shkodërloces, u zbukurua dhe mori
kuptim nga fjalët e sinqerta dhe lutjet
e natyrshme të plakut të mirë 92 vjeçar,
z. Ragip Arifi, i cili për asnjë moment
nuk heq dorë nga shpresa e tij, teksa
përsërit: "Kam uzdajë se Zoti ka me e
kthy kte popull"…
Dhe teksa
plaku me fytyrën e lëmuar e të dritshme,
si drita e rrezeve të diellit që hynin
në xhami, nëpërmjet dritareve të hapura,
mbështetej në bastunin e tij besnik,
mirësia e shpresës dhe uzdajës së tij, i
jepnin ngjyrë bekimesh takimit tonë…
Dhe, e vërteta është si thotë plaku
i moçëm! E vërteta është se populli im
ka rrëshqitur prej dekadash, jo nga
dëshira e tij, sesa nga hilet dhe hijet
e tyre, që jo pak herë e kanë rrethuar
botën e tij… Jo nga dëshira e natyrshme,
sesa nga mashtrimi i madh, në ujrat e të
cilit vazhdon të lëvrojë prej dekadash
të zymta varfëruese, i hutuar, pa e
ditur se drejt cilës humnerë a cilit
labirinth po tërhiqet nga rrymat e hiles
dhe hijeve të saj të vitpërvitshme…
Por, populli im e ka përherë një uzdajë
kthimi, tamam si uzdaja, në të cilën
shpreson plaku me bastun, i mbështetur
për mur të xhamisë, bri rrezeve të
diellit ngrohës… E ka një mundësi me u
kthy nga Zoti, me kërku falje e me
ndjekë udhën e baballarëve me abdest në
zemër e tespihë në dorë, me vullnetin e
punës dhe ambicien e fitimit hallall… Ka
shembullin e nënave pastërtore, me
buzagaz e duararta, që lindën burra të
ndershëm e ndërtuan vlera në botën tonë…
Ata, të mbështetur në Krijuesin e tyre,
jetuan në paqe e harmoni me Zotin, me
veten, tjetrin e natyrën…
E ka
një mundësi, që fëmijët e tij të rriten
me bardhësinë e besimit dhe urtinë e
udhëzimit drejt dashnisë së Zotit, i
cili pret ditë pas dite, ata që
shpresojnë në uzdajën e kthimit drejt
Derës së Tij…
E, teksa ndahesha
nga plaku fytyrëqeshur, nëpërmjet dritës
së syve të tij, dukej se edhe horizonti
dëshmonte uratën e tij të kësaj dite
dhjetori: "Kam uzdajë se Zoti ka me e
kthy kte popull"…
Shkodër, më 10 dhjetor 2013