Paraditën e së hënës,
më 9 dhjetor 2013, Myftinia Shkodër në
bashkëpunim me Zyrën Rajonale për
Shërbim Social, ka bërë shpërndarjen e
40 pakove ushqimore për familje të
jetimëve mbi moshën 18 vjeç, që
strehohen në konvikte të ndryshme të
qytetit Shkodër.
Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari së bashku
me drejtoreshën e ZRShS Shkodër, Valbona
Tula, kanë vizituar disa prej këtyre
familjeve duke parë nga afër gjendjen e
mjerueshme të tyre, që jetojnë në
kushtet më ekstreme të mjerimit,
varfërisë, skamjes dhe mungesës së
përkrahjes.
Në një deklaratë për
mediat, Imam Muhamed Sytari ka bërë apel
që pushtetarët, biznesmenët dhe njerëzit
vullnetmirë, të sjellin sytë e tyre nga
kjo shtresë njerëzish në nevojë, për ta
ndryshuar sadopak realitetin e zymtë, në
të cilin ata jetojnë. Myftiu ka theksuar
se ndihmat e sotme janë njëkohësisht
edhe një thirrje e sinqertë për të
ndihmuar këta njerëz, që janë dëshmia më
e keqe e varfërimit shpirtëror dhe
neglizhencës ndaj njerëzve në skamje në
vendin tonë.
“Realitete si këto
ku jetojnë këta njerëz dhe aspiratat
drejt integrimit evropian, janë në
disekuilibër dhe njëkohësisht një njollë
e zymtë në prezantimin tonë para botës.
Me kësi realitetesh, nuk ka sesi të
pretendojmë t’i bashkohemi bashkësisë së
popujve të qytetëruar, solidarë me
nevojtarin dhe dhimbjen e tij” – ka
thënë Myftiu.
Nga ana e saj
drejtoresha e ZRShS Shkodër, Valbona
Tula, ka falënderuar bashkëpunimin me
Myftininë Shkodër dhe gatishmërinë e saj
për të ndihmuar këtë shtresë njerëzish
në nevojë.
Myftinia Shkodër
falënderon në veçanti xhematin e xhumasë
në xhaminë e Parrucës, të cilët patën
mirësinë t’i përgjigjen thirrjes së
Myftiut për të kontribuar për njerëzit
në nevojë dhe projektet e ndryshme
bamirëse të Myftinisë Shkodër.