Mbrëmjen e së
xhumasë, më 6 dhjetor 2013, Komuniteti
Mysliman i Shqipërisë zgjodhi Shkodrën
si stacionin e radhës, për shfaqjen
premierë të dokumentarit mbi 90 vjetorin
e revistës “Zani i Naltë”.
Aktiviteti që u zhvillua në kinema “Millenium”,
mblodhi personalitete të fesë, kulturës,
drejtues lokalë, imamë, drejtues të
medresesë, shoqatave islame etj.
Në këtë shfaqje premierë të dokumentarit
mbi 90 vjetorin e revistës islame “Zani
i Naltë”, nderonte me pjesëmarrjen e tij
edhe Nën/kryetari i Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, H. Gazmend Aga, Drejtori
i revistës “Zani i Naltë”, z. Genti
Kruja, Myftiu i Lezhës, z. Erton
Yzeirllari dhe Myftiu i Malësisë së
Madhe, H. Edmir Smajlaj. Të pranishëm
ishin edhe Kryetari i Këshillit të
Bashkisë Shkodër, z. Bardhyl Lohja dhe
Drejtori i Bibliotekës së Shkodrës , z.
Gjovalin Çuni.
Fillimisht,
aktivitetin e ka përshëndetur Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari. Në fjalën
e tij ka shprehur mirënjohjen dhe
falënderimet për Komunitetin Mysliman të
Shqipërisë dhe redaksinë e revistës “Zani
i Naltë” për prodhimin e këtij
dokumentari me vlerë, që na sjell në
vëmendje kontributet e vyera të
muslimanëve shqiptarë në rrugën e
formësimit të identitetit kombëtar, me
dije, përkushtim, qytetari e mbështetje
në Zotin.
Me këtë rast, Myftiu
ka bërë një homazh për hoxhallarët dhe
intelektualët e shquar shkodranë, që
dhanë kontributet e tyre për revistën “Zani
i Naltë”. Këtë vlerësim e ka shfaqur
edhe në dhuratën e bërë nën/kryetarit të
KMSh, H. Gazmend Aga, polifoton e një
grupi të dalluar hoxhallarësh shkodranë,
me kontribute të vyera në dije.
Njëkohësisht i ka dhuruar z. Genti Kruja,
një faksimile të revistës “Zani i Naltë”,
të vitit 1938, me një shkrim të
dijetarit shkodran Sheh Qazim Hoxha.
Të pranishmit i ka përshëndetur
edhe Nën/Kryetari i KMSh, H. Gazmend
Aga, që ka shprehur kënaqësinë e tij për
interesimin e madh të besimtarëve
shkodranë, të rinjve në mesin e tyre,
për këtë aktivitet në nderim të një
gjurme të ndritur të brezave të shkuar
muslimanë, të konkretizuara në një
revistë plot vlerë e udhëzim.
Nën/Kryetari Aga ka vlerësuar
kontributin e hoxhallarëve dhe
intelektualëve shkodranë në revistën “Zani
i Naltë” dhe ka theksuar se këto gjurmë
të ndritura duhen pasuar dhe çuar
përpara edhe nga brezi i ri, si një
amanet që na bashkon.
Drejtori i
revistës “Zani i Naltë”, z. Genti Kruja,
në fjalën e tij përshëndetëse, ka vënë
theksin te nevoja e studimit të
kontributeve fetare, filozofike, sociale
e kulturore në 16 vitet e para të
revistës “Zani i Naltë”. Ai ka theksuar
se me rastin e 100 vjetorit të
Shqipërisë, Komuniteti Mysliman i
Shqipërisë mori vendimin e rimëkëmbjes
së kësaj reviste me emër, duke bërë që
sot, në harkun e një viti, të botohen 5
numra me materiale të bollshme, studime,
analiza, biografi dijetarësh etj, që
sinjalizojnë se revista po shkon në
drejtimin e duhur.
Më pas, për
rreth 45 minuta, të pranishmit kanë
ndjekur me kureshtje dokumentarin mbi 90
vjetorin e revistës “Zani i Naltë”, ku
studiues, shkrimtarë, publicistë,
gazetarë e drejtues të KMSh, kanë
shfaqur mendimet dhe vlerësimet për
revistën, të shkuarën, të sotmen dhe të
ardhmen e saj.