Ditën e enjte, më 5 
										dhjetor 2013, nëpërmjet një komunikimi 
										për mediat, Myftiu i Shkodrës Imam 
										Muhamed Sytari ka ripërsëritur kërkesën 
										e tij për kthimin e lëndës së 
										mësim-besimit në shkollat publike të 
										Shqipërisë.
 
Kjo deklaratë ka 
										ardhur një ditë pas vrasjes së dhimbshme 
										në një prej shkollave të Shkozetit, kur 
										një adoleshent vrau me armë zjarri një 
										bashkëmoshatar të tij.
 
Në 
										deklaratën e tij para mediave të 
										pranishme, Myftiu ka theksuar se ka 
										ardhur koha që lënda e mësim-besimit të 
										rikthehet në shkollat e vendit, pasi u 
										hoq në mënyrë arbitrare kohë më parë. “Në 
										këtë mënyrë, do të vërtetohet plotësisht 
										ndarja nga sistemi ateist, që shkatërroi 
										xhamitë dhe objektet e kultit dhe hoqi 
										lëndën e mësim-besimit nga shkollat” – 
										ka vijuar Myftiu.
 
Myftiu ka 
										konfirmuar se lënda e besimit në 
										shkollat e vendit, do të ndikojë në 
										zbutjen e fenomeneve negative dhe do të 
										bëhet shkak në edukimin e fëmijëve me 
										besimin në Zot dhe moralin e fesë.
 
										Kërkesa për rikthimin e lëndës së 
										mësim-besimit në shkollat e vendit, 
										është një kërkesë e përsëritur nga 
										Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në 
										takime të ndryshme zyrtare, por edhe 
										deklarata mediatike.
 
Akoma 
										Ministria e Arsimit, nuk ka dhënë asnjë 
										përgjigje për këtë kërkesë, që ndoshta 
										ka ardhur koha të kërkohet në mënyrë më 
										të intensifikuar dhe në një lëvizje 
										kombëtare, për çdo myftini e për çdo 
										qytet, duke sensibilizuar besimtarët 
										drejt kësaj domosdoshmërie, duke iu 
										referuar edhe degradimit të brezit të ri 
										dhe shfaqjes në masë të veprimeve 
										ekstreme dhe imorale.
            
										
