Pas një pritje të
gjatë, muslimanët e fshatit Domën,
Komuna Postribë, kanë përjetuar sot, të
xhumanë, më 29 nëntor 2013, një ditë të
gëzueshme, me rastin e fillimit të
punimeve për ndërtimin e xhamisë së re.
Ceremonia është zhvilluar në një
atmosferë gëzimi, që përzier me ajrin e
freskët dhe rrezet e diellit, e bënë
këtë të xhuma, një ditë të paharruar për
banorët e këtij fshati, thuajse të
izoluar në mesin e maleve të zonës.
Ceremonia ka nisur me fjalën e hapjes të
mbajtur nga teologu Ervil Kuçi, që ka
shpjeguar qëllimin e këtij tubimi,
lajmin e gëzueshëm për banorët e Domnit,
si dhe vlerën dhe rëndësinë që ka xhamia
në një komunitet besimtar.
Më
pas, duke përshëndetur të pranishmit dhe
në veçanti Kryetarin e Komunës Postribë,
z. Faz Shabaj dhe Drejtorin e
Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja,
Myftiu i Zonës Shkodër Imam Muhamed
Sytari, ka shprehur emocionin dhe
gëzimin e tij për mbërritjen e kësaj
dite të mbarë për fshatin Domën. Myftiu
ka vlerësuar se kjo ditë e shumëpritur
nga të gjithë, erdhi si një dhuratë
hyjnore për krejt muslimanët e Postribës
dhe Shkodrës.
Në mënyrë
simbolike, Myftiu ka vendosur gurin e
parë të themelit, me lutjen që kjo xhami
e re të përfundojë sa më parë, me
cilësinë e pritur dhe të jetë një busull
orientimi për të rinjtë dhe banorët e
fshatit.
Ceremonia është
përshëndetur edhe nga Kryetari i Komunës
Postribë, z. Faz Shabaj, që ka shprehur
vlerësimin e tij për këtë investim që po
bëhet në Postribë, duke vlerësuar
njëkohësisht ndërtimin e kësaj xhamie të
re si një kërkesë të kahershme të
besimtarëve të Domnit.
Në emër
të donatorit, Drejtori i Fondacionit “Mirësia”,
z. Korab Kaja ka theksuar se është
mirësi e All-llahut, që u mundësua
realizimi i këtij bashkëpunimi, në
rrugën e ngritjes së xhamisë së re në
fshatin Domën. Ai ka falënderuar
bashkëpunimin me Myftininë Shkodër, duke
vlerësuar njëkohësisht frymën e
mirëkuptimit për ringritjen e
infrastrukturës shpirtërore në Shkodër e
Shqipëri.
Me rastin e kësaj
ceremonie, Myftiu i Shkodrës i ka
dhuruar z. Korab Kaja, “Pasaportën e
Resulull-llahut (a.s)”, si shenjë
mirënjohje për këtë kontribut dhe
bashkëpunim për xhaminë e re të fshatit
Domën.
Në fund të ceremonisë,
imami i xhamisë Domën, z. Smajl Braqi,
ka shprehur mirënjohjen e tij për
Myftininë Shkodër, Komunën Postribë dhe
Fondacionin “Mirësia”, për këtë angazhim
të vlerësuar në shërbim të ngritjes së
kësaj xhamie të re në Domën.