Paraditën e së enjtes,
më 28 nëntor 2013, në të gjitha trojet
shqiptare është përkujtuar 101 vjetori i
ngritjes së flamurit tonë kombëtar në
Vlorë, që shënoi edhe pavarësimin e
Shqipërisë dhe nisjen e rrugëtimit të
saj si një vend i lirë dhe i pavarur.
Edhe në Shkodër, Bashkia e qytetit
ka organizuar një ceremoni modeste, në
sheshin para godinës së Bashkisë, në
kujtim dhe nderim të kësaj date të
shënuar kombëtare.
Në këtë tubim
tashmë tradicional, ka marrë pjesë edhe
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, i
shoqëruar nga imamët H. Fejzi Zaganjori
dhe teologu Idmir Plaku.
Fillimisht, Myftiu ka uruar Kryetarin e
Bashkisë z. Lorenc Luka, Prefektin e
Qarkut z. Paulin Radovani, deputetet e
ndryshëm, drejtuesit e institucioneve
lokale dhe përfaqësuesit e komuniteteve
të tjera fetare me rastin e 101 vjetorit
të Shqipërisë, si dhe është lutur që
Zoti me madhërinë e Tij ta begatojë këtë
tokë dhe njerëzit e saj.
Pas
ceremonisë së këndimit të himnit
kombëtar dhe ngritjes së flamurit,
Myftiu ka dhënë një intervistë për
mediat lokale, ku ka vlerësuar këtë ditë
si më të shtrenjtën ditë të shqiptarëve,
në të gjitha trojet e tyre dhe në
diasporë.
Myftiu është lutur për
të gjithë ata që kontribuuan për rritjen
dhe zhvillimin e Shqipërisë, si dhe ka
bërë thirrje që shqiptarët të punojnë
përditë e më shumë për të mirën e vendit
dhe kombit.