Ditën e mërkurë, më
20 nëntor 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, i shoqëruar edhe nga
menaxheri i pronave z. Blendi Alushi, ka
zhvilluar një inspektim në terren, për
të vëzhguar nga afër gjendjen e punimeve
në disa prej vakëfeve të Myftinisë
Shkodër.
Fillimisht është bërë
inspektimi i vakëfit në lagjen Dudas, ku
me mbarësinë e All-llahut, shumë shpejt
pritet të finalizohet përpjekja e
Myftinisë Shkodër për ndërtimin e një
xhamie të re, e munguar prej dekadash në
këtë lagje të vjetër muslimane.
Më pas, Myftiu ka ndjekur nga afër
punimet që po vijojnë për ndërtimin e
xhamisë së re në zonën e ish- Zukthave,
te vakëfi i vjetër i xhamisë që mbante
emrin e bamirësit dhe hatibit të saj,
Shaban Efendi.
Një problem në
rrugën e ndërtimit të xhamisë së re
qëndron një godinë e vogël, e ndërtuar
mbi truallin e Myftinisë Shkodër, e
legalizuar padrejtësisht në vitet e
fundit nga ALUIZNI Shkodër. Myftinia
Shkodër po bën të gjitha përpjekjet për
ta pastruar këtë territor, në mënyrë që
projekti i xhamisë të plotësohet
tërësisht.
Është inspektuar edhe
gjendja aktuale e vakëfit te Ura e Bunës,
ku prej një viti ka nisur puna për
ndërtimin e xhamisë së re. Pas
përfundimit të minares me dy ballkone,
që e ka zbukuruar krejt zonën, vijimi i
punimeve do të bëjë të mundur
përfundimin e xhamisë së re, mbi
themelet e xhamisë së vjetër që
ekzistonte më parë në këtë zonë.
Në ditët vijuese, Myftinia Shkodër do të
vazhdojë përpjekjet e saj për të arritur
çertifikimin e vonuar të krejt pronave
të saj, lirimin e vakëfeve të uzurpuara,
si dhe lobimin për vënien në efiçencë të
tyre me ndërtime të reja.