Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Gjatë tre viteve të
drejtimit tim të Myftinisë Shkodër, (22
prill 2010 – deri sot, më 20 nëntor
2013), jam përballur me shembuj të
shumtë të uzurpimit të padrejtë të
tokave të shenjta vakëf. Kam qenë i
prerë në të gjitha rastet, aspak
tolerues ndaj kujtdo që është përpjekur
të bëjë manovrat tipike të grabitësit të
pabesë, që përpiqet të shesë edhe
fytyrën e tij për të mbrojtur interesin
vetjak. Kam qenë intolerant edhe
përballë “presioneve” të ndryshme nga
ata që nuk kanë prituar të bëjnë rrugën
e Tiranës, vajtje-ardhje, a përpjekjes
për të futur fitne nëpërmjet njerëzve të
fitnes, që mbijnë edhe nëpër xhami, si
kërpudha helmuese!
Po aq
intolerant kam qenë dhe vazhdoj të jem
edhe përballë atyre xhahilë, që teksa
grabisin a mundohen të zhvasin një dyqan
atje a një pronë këtu, mundohen të na
bëjnë edhe moral feje, si të ishin
shenjtorët e botës, aq më shumë kur të
thonë: “Na e keni borxh se kemi hapur
Xhaminë e Plumbit”!? Ah xhahilë, xhahilë
province!
Muslimanët më
injorantë sot janë edhe ata, që në këtë
Shqipëri e në këtë Shkodër, me
primitivizmin e tyre kanunor, me fytyrat
e rreshkura nga vula e 23 viteve
komunizëm (më fatzezat e historisë sonë
kombëtare), të pasuara nga 23 vite
abuzim masiv ndaj shenjtërive islame,
kanë kurajon të vazhdojnë të vegjetojnë
mbi tokat vakëf, të jetojnë të qetë mbi
haram! Po si mund të jetohet e
qetë jeta që ndërtohet mbi haramin?! Si
mund të bëhet “bismilah” mbi një ushqim
që buron nga harami i grabitjes së një
prone të shenjtë, një ish-xhamie, një
ish-varreze muslimane, një ish-mejtepi a
biblioteke me libra plot dije, dritë e
udhëzim?! Si mund të bëhet “bismilah”
për diçka që e ka zanafillën në mallkim,
si ai që ndjek hap pas hapi këdo që prek
pa të drejtë vakëfin e shenjtë!?
Paradoksi më i madh dhe dhimbja më e
rëndë është atëherë, kur u trokasim në
derë për t'i kërkuar të drejtën tonë, që
njëherazi është edhe e drejta e tyre dhe
e fëmijëve të tyre. Ata bëjnë rolin e
mjeranit, meskinit dhe invalidit fatkeq.
Të thonë, teksa fytyrat u mrrolen dhe
vetullat u bien mbi sy: "Po ju jeni për
bamirësi! A e keni frikë Zotin? Për një
kafshatë buke e kam! Kam harxhuar gjithë
pasurinë për ta ngritur!" e shumë e
shumë broçkulla të këtij lloji të ulët?!
Një lutje e kemi për detyrë ta
bëjmë në këtë kohë e në këtë realitet të
pështirë: Zot udhëzoji zemrat e tyre, që
mos të të vijnë para duarve me
injorancën rrënuese të virtytit dhe
fytyrat e nxira nga zullumi i tyre i
pashembullt! Zot i Madhëruar në tokë e
në qiell, mos lejo që zullumi i tyre të
trashëgohet tek fëmijët e tyre, mbroje
këtë shoqëri nga ndëshkimi Yt, që pason
këta shembuj imoralë e joibesimtarë!
Zot jepu atë që meritojnë të gjithë
drejtuesve të këtij vendi, veçanërisht
afetarëve muslimanë në mesin e tyre, që
me hipokrizinë provinciale tipike dhe
karagjozllëkun e mentaliteteve komuniste,
me të cilin na kanë rigrabitur pronat
tona të shenjta, duke ia legalizuar të
afërmve a servilëve më të afërt, gjatë
23 viteve të fundit, kanë kontribuar që
ne sot të trashëgojmë këtë realitet
mjeran e të dhimbshëm!
JAZËK ju
qoftë, o gangrenë e Shkodrës dhe e mbarë
Shqipërisë!
Zullumi i xhamive
dhe i shpirtrave të baballarëve të
ndershëm të kësaj toke, që nuk kursyen
pasurinë e tyre për t’ia përkushtuar
mbarëvajtjes së aktivitetit fetar dhe
zhvillimit të Thirrjes Islame në këtë
vend, nuk duhet neglizuar, është për t'u
marrë në konsideratë, o të ngratë!
Amaneti i tyre, për asnjë arsye, pengesë
a tendencë eleminuese të gjurmës së tyre,
nuk duhet lënë pas krahëve! Atë amanet,
e kemi për detyrë ta mbrojmë me kurajo e
pa frikën e askujt, pa asnjë lloj
kompromisi e pa asnjë tolerancë!
Përndryshe, do të na ndjekë turpi për
gjithë jetën dhe jo vetëm..!
Dhe
në fund, mos ta harrojë asnjëri prej
nesh, zullumbërës a jo, thirrjen e Zotit
të Plotfuqishëm: “E ata që bënë zullum
do ta kuptojnë se ç'përfundimi i shkojnë”.[1]
Shkodër, më 20
nëntor 2013
[1] Sureja
Esh-Shuara, 227.