Ditën e martë, më 19
nëntor 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka zhvilluar një takim
pune në zyrën e Kryetarit të Bashkisë
Shkodër, z. Lorenc Luka.
Qëllimi
i këtij takimi kanë qenë problematikat
që lidhen me disa nga pronat e Myftinisë
Shkodër, që presin ndërhyrjen e Bashkisë
për t’u liruar dhe vënë në dispozicion
të pronarit legjitim, pas plotësimit të
krejt kushteve ligjore.
Në takim
është diskutuar edhe për interesimin e
përbashkët të Myftinisë dhe Bashkisë
Shkodër në lidhje me Xhaminë e Plumbit
dhe zonën përreth saj, si një ndër
lagjet më të vjetra monument kulture në
Shkodër.
Siç dihet, Myftinia dhe
Bashkia Shkodër janë interesuar që herët
për të përgatitur një projekt ambicioz
që e shpëton përfundimisht Xhaminë e
Plumbit nga situatat e përmbytjeve dhe
neglizhencës së viteve të fundit.
Projekti në fjalë i është dorëzuar
Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, pas
premtimit të bërë nga Qeveria e Kuvajtit
për mbështetjen e dhe financimin e tij.
Realisht, akoma nuk janë dhënë sinjalet
e duhura dhe bindëse në këtë drejtim.
Myftiu e ka informuar
Kryebashkiakun se gjatë vizitës së bërë
para pak ditësh në Ankara, ka kërkuar
nga Koordinatori i TIKA-s për Ballkanin
ndërhyrje dhe mbështetje në lidhje me
Xhaminë e Plumbit.
Njëkohësisht,
edhe Kryetari i Bashkisë ka konfirmuar
vullnetin dhe gatishmërinë e tij për të
zhvilluar takimet e duhura me drejtues
të TIKA-s në Tiranë, në lobim për këtë
çështje.
Me rastin e kësaj
vizite, Myftiu i ka dhuruar Kryetarit të
Bashkisë z. Lorenc Luka, librin e tij më
të ri me titull: “Nún – Pasha Lapsin…”.