Mbrëmjen e së shtunës,
më 16 nëntor 2013, nëpërmjet valëve të
Tv Rozafa, Myftinia Shkodër ka shfaqur
një dokumentar, me dëshmi dhe fakte
konkrete mbi rihapjen e Xhamisë së
Plumbit. Ky dokumentar shfaqet në kuadër
të përkujtimit të datës së shënuar 16
nëntor 1990, ditë në të cilën u
plotësuan kushtet për rihapjen e Xhamisë
së Plumbit, pas një periudhe të errët 23
vjeçare, në të cilën shteti shqiptar
mbylli shkollat fetare, shkatërroi
xhamitë, ndaloi mësimin e edukatës
fetare në shkollat e tij dhe u
vetëdeklarua si “shteti i vetëm ateist
në botë”.
Gjatë këtij
dokumentari, teleshikuesit kanë pasur
mundësi të dëgjojnë dëshmi të ndryshme
rreth kushteve të vështira në të cilat
muslimanët shkodranë mbanin fshehurazi
ritet dhe adhurimet islame në periudhën
e ndalimit të tyre me ligj. Njëkohësisht
janë dhënë dëshmi për ditën e 16
nëntorit 1990, të cilat bartin përherë
emocione dhe respekt për të gjithë
kontribuesit dhe mbi të gjitha, zgjojnë
ndjenjën e falënderimit ndaj All-llahut
(xh.sh) që nuk e humbi këtë besim dhe
këtë fé të pastër në këtë tokë islame.
Në dokumentar përftohen emocione të
mëdha teksa dëgjohen dëshmi të ndryshme
nga H. Mit’hat Myftija, rahmetliu H.
Faik Zaganjori, si dhe dëshmohen pamje
vizive të hoxhallarëve të nderuar si: H.
Sabri Koçi, H. Sulejman Kraja etj, që
nuk jetojnë më.
Dokumentari në
fjalë transmetohet për herë të parë në
një media vizive. Ai u ideua dhe u
mbështet nga Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari dhe u realizua nga
gazetarë dhe operatëorë profesionistë të
qytetit të Shkodrës, me rastin e 20
vjetorit të rihapjes së xhamisë së
Plumbit dhe dëshmimit të lirë të
vullnetit dhe përkatësisë fetare në
vendin tonë.