Mbrëmjen e së shtunës,
më 26 tetor 2013, Imam Muhamed Sytari ka
ftuar një grup miqsh dhe të afërmish të
njërit prej haxhilerëve të rinj të këtij
viti, z. Shuajb Golemi, i cili ditën e
nesërme udhëton drejt familjes së tij,
larg Shqipërisë.
Qëllimi i
ardhjes së tij në vendlindje ka qenë
dëshira për të kryer haxhin në shoqëri
të vëllezërve dhe motrave nga Shkodra
dhe mbarë Shqipëria. Këtë e konfirmon
edhe vetë, teksa dëshmon se: “I kam
pasur mundësitë të shkoj në haxh nga
vendi ku jetoj, por dëshira ime ishte ta
kryej haxhin me vëllezërit e mi nga
Shkodra, duke folur e duke u lutur në
gjuhën shqipe!”.
I pranishëm në
këtë bashkëbisedim të ngrohtë ishte edhe
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj, që këtë vit ishte pjesë e
udhërrëfyesve të grupit shqiptar.
Emocionet e haxhit të sivjetshëm,
kujtimet e bukura, momentet më të
spikatura dhe shpirti i vendeve të
shenjta, kanë shoqëruar këtë ndenje të
këndshme, duke i dhënë një mirësi dhe
ngjyresë besimi.
Haxhi Shuajb
Golemi ka falënderuar organizimin e
mbarë të Myftinisë Shkodër dhe
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për
këtë vit, duke dëshmuar një kënaqësi të
madhe të përjetuar në vendet e shenjta
gjatë ditëve të haxhit.
I pyetur
nga të pranishmit se nëse do të shkonte
përsëri në Mekë, i përlotur ai është
shprehur se udhëtimi i haxhit është
udhëtimi më i bukur i jetës dhe se nuk
do të hezitonte të shkonte përsëri në
haxh, pa ndërprerje!
Në fund të
këtij takimi të këndshëm, H. Fejzi
Zaganjori ka bërë një lutje, në të cilën
është lutur që Zoti t’ia ketë pranuar
haxhin e sivjetshëm grupit të
shqiptarëve dhe mbarë haxhilerëve të
botës islame. Njëkohësisht është lutur
për shëndetin dhe mbarësinë e të
nderuarit Haxhi Shuajb Golemi.