Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Islamofobia e shfaqur
gjatë këtyre ditëve nga disa klerikë,
shkrimtarë, analistë, deputetë e
gazetarë, pas vizitës së kryeministrit
të Turqisë në Kosovë dhe tundimi
qesharak për t’u bërë protagonist me një
deklaratë a një intervistë i shumë
personazheve me fytyra të ngrysura, në
të vërtetë është një sinjal jo i mirë,
që vërteton se në gjendje të tilla krize
dhe tranzicioni shpirtëror, intelektual
e identitar, mllefi dhe urrjetja fetare
është në gjendje të prishë e të
shkatërrojë vlerat e harmonisë
ndërfetare në trojet shqiptare, nëse
fytyrë-ngrysurit mund të kenë pushtet e
influencë në një shoqëri të çoroditur e
të hutuar nga daullet e shumta që bien
sa djathtas-majtas.
Kemi dëgjuar
gjatë këtyre ditëve deklarata e
intervista, kemi lexuar shkrime e
analiza, që në të vërtetë janë një
grumbull i madh vneri, i fëlliqtë në
vetëvete, por sinjalizues i një fryme të
harruar mesjetare, që vriste e
poshtëronte në emër të mllefit e
urrejtjes ndaj kundërshtuesve të saj!
Ky realitet i krijuar vërtetoi më
së miri se ISLAMI mbetet përherë
rrezatues për pasuesit e tij, një
shtyllë e fortë e mbrojtjes dhe
kultivimit të vlerave kombëtare
shqiptare, si dhe një kala mirësie
hyjnore për shqiptarët, e padepërtueshme
nga shigjetat e helmuara të misionarëve
të mesjetës bashkëkohore, me rrobë të re
e pamje sipas shijeve perëndimore!
FRIKË! Ky është përkufizimi më
i mirë për të gjithë të strukurit në
realitetet e zymta të gjirizeve
mesjetare, që përpiqen dita-ditës ta
hedhin shqiptarin greminave të zhveshjes
nga identiteti i tij besimor, traditat e
gjyshërve, tabani i familjes dhe
qytetaria e fisme, në emër të heronjve
legjendarë, miteve qesharake, përrallës
së lirisë së mendimit dhe demokracisë
laike, “pushtuesit shkatërrimtar që na
ndryshoi fenë me dhunë” etj, etj pa
fund.
Çfarë vlere intelektuale
mund të ketë një deklaratë injorante e
një deputeti hibrid, pa asnjë shkallë
dije a ngjyresë intelektuale, kur
përmend mënyrën sesi shqiptarët e kanë
pranuar Islamin, apo neo-otomanizmin në
një deklaratë mjerane?
Çfarë
kuptimi ka deklarata e një kleriku,
përfaqësues i një komuniteti të vogël
minoritar, kur hedh shashka vneri, që në
një mënyrë a një tjetër prekin ndjenjat
dhe shpirtin e muslimanëve, që me
dashamirësi e kanë pranuar në mes vete,
duke i hapur dyert e duke bashkëjetuar
si vëllezër gjaku, gjuhe, kulture e
traditash ndër shekuj?!
Çfarë
kuptimi ka që të vazhdojmë e të dëgjojmë
misionarë laramanë, që na përmendin ditë
pas dite Islamin, si kancer në genin
tonë kombëtar, si pengues të integrimit
në “kontinentin e vjetër katolik” e sa e
sa broçkulla pa kripë, që u ka perënduar
dielli me kohë?!
Këtu, më vjen
ndër mend historia e të parëve të mi
muslimanë dhe toleranca e tyre ndaj “tjetrit”,
kushdo që të ishte ai. Më vjen ndër mend
sesi muslimanët shkodranë kanë strehuar
hebrenjtë, për t’i shpëtuar nga vdekja e
sigurt në duart e një pushtuesi (aq sa
hise mund të kishte ai në këtë fjalë).
Më dalin para syve qëndrime të shquara
të burrave të urtë muslimanë shkodranë,
në nder të vëllezërve të tyre të gjakut
e gjuhës, katolikë e ortodoksë. Ne
muslimanët nuk jemi si ky takam injorant,
që hidhet si i shastisur për të prishur
gjakun, shekujt, traditat e identitetin,
vetëm e vetëm se ka lidhur një besë për
një histori të perënduar!? NE NUK JEMI
KËSHTU!
Por, të dëgjosh e të
bëhesh dëshmitar i kësaj fryme të
lajthitur e histerike të disa njerëzve
të pa vlerë, vetëm e vetëm se kanë
pranuar të jenë misionarë të smogut
mesjetar, kjo është e patolerueshme!
Prandaj, islamofobëve të qytetit tim,
islamofobëve shqipfolës, mbarë
islamofobëve, të shfaqur e të heshtur, u
them ashtu si në Kur'an u thuhet
modeleve të tyre në kohëra të lashta: "Thuaju:
"Vdisni me mllefin tuaj"!" - (Kur'an,
Ali Imran, 119).
Sepse
islamofobia është GUR i rëndë që
ngushton gjokset e sëmura të njerëzve që
janë mësuar të thithin kolerë mesjete,
në vend të ajrit të pastër nga burimi i
tij!
Ne muslimanët e kemi të
shenjuar rrugën tonë prej shekujsh, nuk
na lëkund histeria e dikujt, as
laramanizmi i dikujt tjetër, as tendenca
injorante e të bërit protagonist me
simbolet e Islamit në gojën e dikujt
tjetër! Por, nuk do të heshtim, sepse
heshtja në disa raste është e gabuar!
Shkodër, më 25 tetor 2013