Mbrëmjen e së
mërkures, më 23 tetor 2013, kanë
mbërritur në Shkodër haxhilerët e këtij
viti, që për rreth tre javë morën pjesë
në kryerjen e adhurimeve dhe riteve
fetare të haxhit.
Në pritje të
tyre ka qenë Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, i shoqëruar nga imamët
Idmir Plaku dhe H. Fejzi Zaganjori.
Në shoqërinë e salavateve që
lartësoheshin nga minaret e xhamisë së
Parrucës, haxhilerët janë takuar me
Myftiun, imamët dhe familjarët e tyre,
duke ndarë së bashku emocionet e para të
një eksperience të mrekullueshme
shpirtërore, gjatë qëndrimit në Mekë dhe
Medine.
Haxhilerët kanë
vlerësuar momentet e kaluar nën
drejtimin e Myftiut të Malësisë së Madhe,
H. Edmir Smajlaj dhe të përzgjedhurve të
tjerë të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë për udhëzimin e tyre në
kryerjen e riteve gjatë haxhit të
sivjetshëm.
Njëkohësisht kanë
vlerësuar mënyrën e organizimit të
haxhit të këtij viti, që sipas dëshmisë
së tyre ishte një kongres madhështor
mbarëbotëror, i kryer në kushte të
përkryera, pa asnjë mangësi a vështirësi.
Ndërkohë, ditën e sotme, më 24
tetor 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka pritur në zyrën e tij
disa nga haxhilerët e Shkodrës, të cilët
kanë ardhur për të shprehur kënaqësinë e
tyre për kryerjen e haxhit, si dhe
vlerësimet më të mira për organizimin e
sivjetshëm.