Mbrëmjen e së hënës,
më 21 tetor 2013, pas faljes së namazit
të akshamit në xhaminë e re të Dërgutit,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari,
ka mbajtur një vasë, në të cilin ka
folur mbi mirësinë e madhe të udhëzimit
në Islam.
Myftiu ka folur mbi
garancinë që Zoti i gjithësisë ka
vendosur në mbrojtjen e Kur’anit si
Libri i fundit hyjnor, përmbledhës i
librave të mëparshëm. “Megjithatë, akoma
ka përpjekje për ta deformuar thelbin e
Kur’anit, qoftë me botime të devijuara
të tij, që menjëherë demaskohen nga
dijetarët. Në mesin e tyre mund të
përmend edhe përkthimin në shqip të
Kur’anit nga shtëpia botuese “Darus-Selam”,
e kritikuar shkencërisht nga Hoxha i
jonë Vehbi S. Gavoçi, copëzat e
përkthimeve të devijuara që përdoren nga
“Dëshmitarët e Jehovait”, etj, që kanë
një qëllim të përbashkët dashakeq ndaj
Thirrjes së Lashtë Hyjnore”- ka thënë
Myftiu.
Më pas, ka folur mbi
rëndësinë që ka prijësi fetar në
mbrojtjen e mësimeve të besimit dhe
përhapjen e tyre në masë. Me këtë rast
ka bërë publik përzgjedhjen e të
nderuarit z. Bledar Xama, si imam të
xhamisë më të re në Shkodër, asaj të
Dërgutit, si një njeri me vlerë, edukatë
besimi, korrektësi, aftësi komunikimi
dhe punë në komunitet.
Myftiu ka
kërkuar nga besimtarët që ta përkrahin
imamin e ri në detyrën e tij, të mbrojnë
së bashku xhaminë dhe misionin e saj nga
çdo përpjekje për ta prishur shpirtin
dhe mesazhet që ajo përhap në shoqëri.
Njëkohësisht ka lajmëruar se hytbet e
xhumasë do të mbahen sipas një programi
të përgatitur nga Myftinia Shkodër, ku
do t’i jepet mundësia një numri të madh
teologësh-imamë për të mbajtur hytben e
xhumasë në këtë xhami të re, në shërbim
të afrimit të xhematit dhe konsolidimit
të tij.
Në fund, besimtarët janë
përshëndetur me imamin e ri dhe i kanë
uruar atij suksese dhe mbarësi në
misionin fisnik dhe detyrën e lartë të
ngarkuar nga Myftinia Shkodër.