(Duke lexuar
librin e ri të vëllait të dashur Imam
Didmar Faja, “Shprehi dhuntitë e Zotit
tënd!”)
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Para pak ditësh, një
mik i heshtur më dhuroi një libër, në
dedikimin e të cilit shënohej: “Me u
dashtë asht bukur, ama me kenë mik asht
tjetër, tjetër gja…”. Bukuria e kësaj
dhurate ishte se ajo bashkonte në një
atmosferë dashurie besimi dhe miqësie të
vjetër, dhuruesin, mua dhe autorin e
librit. Nëpërmjet saj, u bëmë, si të
thuash, si një bashkësi tredimensionale,
që bashkoi sinqeritetin, miqësinë dhe
respektin e ndërsjellët në mes nesh.
“Shprehi dhuntitë e Zotit tënd!”,
është libri më i ri nga duart, mendja
dhe shpirti i vëllait të dashur dhe
mikut të vjetër, Imam Didmar Faja,
prijës i Qendrës Shqiptare-Amerikane në
Phoenix, AZ - ShBA, botim i Shtëpisë
botuese “Progresi”, Shkodër.
Librin në fjalë e lexova me shumë
dëshirë dhe kënaqësi, si të ishte një
ndenje e këndshme besimi dhe miqësie me
autorin dhe botuesin… Aty, të tre së
bashku u bashkuam në rreshtat e librit,
ku gjetëm veten dhe dëshmuam mirësinë e
madhe të shprehjes së dhuntive të Zotit…
Ky libër, në të vërtetë, është një
përmbledhje shumë e dobishme, kryesisht
e ligjëratave të mbajtura nga imami i
nderuar (autori i librit) në xhaminë dhe
komunitetin e tij, në Arizona. Me fjalë
të tjera, është një botim që i shërben
më së miri të gjithë imamëve dhe
prijësve të ndryshëm fetarë muslimanë,
që duhet medoemos të arkivojnë gjurmët e
tyre, duke kontribuar njëkohësisht në
ngritjen intelektuale dhe besimore të
komunitetit dhe bashkësisë fetare,
nëpërmjet shkrimit dhe leximit.
Libri, përshkohet nga boshti i
mirënjohjes ndaj Zotit dhe falënderimit
për mirësinë e Tij ndaj autorit, i cili
shprehet se: “që në fëmijëri, Zoti
(xh.sh), më ka dhënë mundësinë të
qëndroj afër dijetarëve dhe njerëzve të
ditur…” – (fq. 85). Këtë mirënjohje e
konkretizon që në hyrje të librit, të
cilin ia dedikon pikërisht këtyre
njerëzve të ditur, që i cilëson si
mësuesit e tij të dashur: “të cilët më
edukuan me diturinë dhe ndjenjat
shpirtërore islame dhe kombëtare” – (fq.
5) dhe përmend në mes tyre, të nderuarit
rahmetlinj: H. Sabri Koçi, H. Ahmed El-Haxh
El-Ali, Shejkh Vehbi S. Gavoçi etj.
Autori e shpreh qartë se qëllimi i
botimit të këtij libri të ri është: “fitimi
i kënaqësisë së Zotit dhe kontribut
modest në përhapjen e dritës islame,
detyrë kjo për çdo besimtar dhe
besimtare” – (fq. 9).
Është me shumë rëndësi për lexuesin
të kuptojë se autori, në këtë libër, ka
përzier interpretimet tradicionale me
shpirtin mistik të botimeve të vjetra të
korifejve të fesë islame në dije, si:
Imam Gazali, Imam Razi, Imam Kushejri,
Mevlana Rumi etj, duke i dhënë një shije
të mrekullueshme intelektuale dhe
shpirtërore temave të trajtuara me
finesë në 190 faqet e tij.
Në
këtë vështrim analitik të librit, kam
dëshirë të ndalem në disa momente, që
gjykoj se janë të një rëndësie të
veçantë në këtë libër dhe, njëkohësisht
përkthejnë më së miri metodologjinë e
kërkimit shkencor, teologjik dhe
intelektual të autorit.
1. Bota e besimit.
Në këtë
pikë, autori tërheq vëmendjen e
dëgjuesve të ligjëratave të tij dhe
lexuesit në libër drejt faktit se: “Të
dërguarit, evlijatë dhe dijetarët e
Allahut janë ata që i kujtojnë njeriut
origjinën e shpirtit të tij,
kthjelltësinë. Ka dhe nga ata shpirtra,
uji i të cilëve është përzier aq shumë
me dhé, saqë nuk arrijnë të kujtojnë
kthjelltësinë e tyre” – (fq. 13).
Ky është një konstatim sa i thjeshtë,
aq i thellë, që e bën lexuesin të hyjë
në një botë reflektimi, për të analizuar
veten, besimin dhe sjelljen e tij në
raport me vetë besimin dhe fenë, në
jetën e përditshme. Këtë, autori e
konkretizon edhe me fjalët e tij se: “Besimi
i patundur dhe i shoqëruar me punë të
mira është diell në errësirë për
myslimanin dhe argument që shpirti i tij
ka jetuar gjithmonë me Realitetin…” – (fq.
14).
2. Balanca në fé.
“Balanca në fe, – vazhdon autori, - vjen
nga besimi dhe besimtari gjithmonë i
balancon punët e tij. Ai nuk është
ekstremist dhe e di se ekstremi të
dërgon në humbje. Ai nuk bëhet aq i
lëshuar sa të braktisë normat e Islamit,
as nuk i kryen këto norma, i sforcuar
duke dëmtuar shëndetin e tij dhe duke
mos përmbushur në fillim të drejtat ndaj
vetes dhe pastaj ndaj të tjerëve” – (fq.
18).
Është me vend, të flitet sot
nëpërmjet mediumeve të ndryshme islame,
rreth mesatarizmit a balancës në fenë
tonë. Për faktin, se ditë pas dite,
shtimi i dritareve të marrjes së
informacionit, shoqëruar me gjendjen e
varfërisë dhe padijes, ka arritur të
krijojë në mendjen e shumë muslimanëve (dhe
jo vetëm) perceptime të gabuara rreth
fesë së tyre. Ky fakt, në vetëvete,
është një ndër shkaktarët e shfaqjeve të
gabuara në realitetet besimtare, që
krijojnë prishje të balancës dhe devijim
nga rruga e mesatarizmit, me të cilën u
dërgua Zotëria i bijve të Ademit.
3. Ndjekja e traditës së
Profetit (a.s).
Kur flet për
këtë pikë, duke e renditur nën një
kryetitull të madh: “Shenjat e dashurisë
ndaj Profetit Muhammed (a.s)”, autori
ndalet tek një fenomen, që lidhet në
logjikë me mungesën e balancës në fé,
atë të keqperceptimit të vetë Traditës
Profetike dhe si pasojë edhe
keqpraktikimin e saj.
Thotë: “Ka
shumë nga ata që pretendojnë se e duan
Muhammedin (a.s), por nuk praktikojnë
traditën e tij. Si mund ta duash atë pa
ndjekur udhëzimet e tij? Ka edhe nga ata
që ndjekin sekondaret dhe lëjnë mënjanë
primaret e traditës së tij, ose marrin
vetëm atë çfarë u intereson atyre. Për
shembull: Ka nga ata që i kushtojnë
vëmendje masës së pantallonave dhe e
kanë hedhur pas krahëve vëllazërimin
midis besimtarëve” – (fq. 26).
Në
një farë mënyre, ai nxit thellimin në
dije dhe nevojën e interpretimit të
saktë të traditave profetike, duke mos
neglizhuar shkallën e rëndësisë së
veprimeve mbi këtë bazë.
4. Nevoja e bashkëpunimit
ndërfetar.
Autori sjell në
vëmendjen tonë një eksperiencë shumë
pozitive të dëshmuar prej tij në ShBA,
bashkëpunimin e liderëve fetarë për të
arritur sa më shumë në eliminimin e
paragjykimit, urrejtjes dhe
diskriminimit në emër të fesë në shoqëri.
Në realitet, kjo është një thirrje
kur’anore, ku Zoti i gjithësisë porosit
që të debatohet e të dialogohet në më të
mirën e mënyrave me pasuesit e Librave
të Shenjtë. Në një pjesë të librit,
autori sjell në vëmendjen tonë
konkluzionet e takimit të ndodhur në
datën 10 mars 2011 në mesin e drejtuesve
fetarë myslimanë, të krishterë dhe
hebrenj në shtetin e Arizonës.
Përmend pohimin e tyre të përbashkët të
shtatë pikave, për të cilat dëshmon se:
“Ne i pohojmë këto shtatë deklarata dhe
mund t’ia shpërndani çdokujt, kudo”.
Është me rëndësi të citoj nga mesi i
tyre pikën e parë, ku përmendet se: “Angazhimi
ynë në bashkëpunim për paqe, nuk do të
thotë se ne zgjidhim diferencat në
besimet tona të lashta, duke krijuar “Një
fé” imagjinare të botës. Përkundrazi, do
të thotë që çdo bashkësi fetare kërkon
t’u qëndrojë besnike besimeve të veta të
lashta dhe të gjejë brenda këtyre
besimve burimet për të bashkëpunuar me
njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt…” –
(fq. 42).
Në fakt, kjo temë në
vete, meriton një përkushtim më të madh
nga të gjithë ne, duke u përqendruar te
nevoja e zhvillimit të takimeve të
ndryshme ndërfetare në drejtim të
ruajtjes dhe forcimit të mëtejshëm të
frymës së bashkëpunimit ndërfetar në
vendin tonë. Personalisht mendoj se ka
shumë për të bërë në këtë drejtim,
sidomos nga njerëzit e specializuar në
shkencat teologjike, që duhet të jenë
prijës në këtë drejtim, me urtësi,
ndjenjë besimi dhe vlerësim të situatave
të ndryshme në shoqëri.
Është
shumë me vend të përmendet pika e katërt
e deklaratës së nënshkruar nga
drejtuesite lartpërmendur fetarë në
Arizona, ku vihet theksi te qëndrimi
unanim kundër: “të gjitha formave të
persekutimit fetar ndaj hebrenjve, të
krishterëve, myslimanëve apo dikujt
tjetër” – (fq. 43). Kjo është një temë
që duhet zhvilluar maksimalisht në
vendin tonë dhe në trojet e tjera
shqiptare, ku prej dekadash nuk është
pastruar akoma njolla e persekutimit
fetar.
5. Dimensionet e
brendshme të namazit.
Me
shumë elokuencë dhe stil gazalian, Imam
Didmar Faja trajton dimensionet e
namazit, shtyllës kryesore të fesë
islame. Duke iu referuar “Ihjasë” së
famshme të Imam Gazaliut, ai thekson se:
“drejtimi nga Qabja simbolizon jo vetëm
drejtimin e trupit tënd ndaj saj, por
edhe largimin e zemrës nga ço gjë tjetër
dhe drejtimin e saj nga Allahu (xh.sh)…
Ulja e kokës dhe shikimi poshtë, është
kujtesë për zemrën që të qëndrojë me
modesti dhe larg nga mendjemadhësia…” –
(fq. 55).
Pa dyshim se kjo temë,
meriton një lexim të qetë, shoqëruar me
meditim dhe reflektim rreth marrëdhënies
që ne kemi pesë herë në ditë me faljen e
namazit.
6. Kujdesi për
mjedisin.
Një temë shumë e
rëndësishme, nëpërmjet së cilës dalin në
pah shumë elementë të madhështisë së
Islamit dhe gjurmëve qytetëruese të hz.
Muhammedit (a.s) në edukimin e shoqërisë
për respektimin e të drejtave legjitime
të çdo krijese, përfshi kafshët.
Teksa ndalem te kjo temë, mendoj: Nëse
në fenë islame, që para 14 shekujsh
është folur në shumë raste, si në
Kur’an, ashtu edhe në Traditën Profetike,
për të drejtat e kafshëve, po të drejtat
e njeriut, për të cilat feja islame
akuzohet shpesh për shkelje e dhunim?!
Normalisht, padija dhe tendenca
përçudnuese e fakteve konkrete, nuk mund
të mos akuzojë dritën për errësirë!? Në
këtë kontekst, autori shkruan dhe
vërteton se: “Profeti (a.s) e ndaloi
vrasjen e kafshëve së koti dhe tha se ai
që vret një zog për dëfrim, zogu do
kërkojë të drejtën e tij nga ai njeri në
Ditën e Gjykimit…” – (fq. 58), duke
folur gjerësisht edhe për ruajtjen dhe
mbrojtjen e mjedisit të gjerë.
7. Droga dhe dëmet e saj.
Kjo është një temë, reth së cilës autori
ka shkruar me shumë maturi, duke e
dëshmuar veten edhe si një njohës i mirë
i realiteteve të shoqërisë së tij, si
pjesë e misionit të shenjtë që mban mbi
supe.
Kur flet për fatkeqësinë e
përdorimit të drogës, sidomos nga të
rinjtë dhe nxënësit e shkollave, ai
tërheq vëmendjen e lexuesit për dëmet që
sjell ajo, ndalimin e afrimit të
muslimanit pranë çdo gjëje të dëmshme në
jetë, si dhe qëndrimin islam ndaj këtij
fenomeni vrastar. Autori flet edhe për
simptomat, dëmet dhe mënyrat e
parandalimit të drogës në shoqëri. (Të
shihet në fq. 166-168).
Në faqet
e këtij libri, lexuesi mund të gjejë
edhe shumë tema të dobishme, nëpërmjet
të cilave do të ketë mundësi të zgjerojë
horizontet e tij në lidhje me: Namazin,
agjërimin, vlerat e xhumasë, ruajtjen e
gjuhës, veshjen në Islam, rëndësinë e
dijes, vlerat e kohës, vetëpërmbajtjen
nga zemërimi, Hixhretin, Natën e
Beraetit, tregëtinë e ndershme etj.
Me mbarësi të Zotit, ky libër
përmban vlera dhe dije, urtësi dhe
analiza të dobishme, sidomos për imamët
tanë, teologët, intelektualët dhe
besimtarët në përgjithësi.
Autorit i uroj suksese dhe e përgëzoj
për këtë hap të rëndësishëm në rrugën e
gjatë të afirmimit të tij si një prijës
i urtë dhe i ditur, në gjurmët e
prijësve te shquar të muslimanëve
shqiptarë të Amerikës, si: Salih ef.
Myftija, Imam Vehbi Ismaili etj, të
cilët bashkuan dijen dhe atdhedashurinë
në faltoren e shpirtit, të përulur para
Njësimit të Zotit dhe Vullnetit të Tij
për t’u dëshmuar si thirrës drejt
dhuntive të Zotit...
Shkodër, më 20 tetor 2013