E xhumaja e 18 
										tetorit 2013 do të mbahet mend si 
										ditëlindja e xhamisë më të re në qytetin 
										e Shkodrës, asaj në lagjen Dërgut.
 
										Në prag të namazit të xhumasë së kësaj 
										dite, Myftinia Shkodër dhe Shoqata “Burimi” 
										kanë organizuar ceremoninë e inaugurimit 
										të xhamisë së re në Dërgut, realizuar 
										falë donacioneve të kuvajtianit Hamed 
										El-Faris, me ndërmjetësimin e Shoqatës “Burimi” 
										dhe drejtorit të saj, z. Sokol Mandi.
										 
Pas prerjes së shiritit të 
										inaugurimit të xhamisë së re nga Myftiu 
										i Shkodrës, Kryetari i Këshillit të 
										Qarkut Shkodër dhe Drejtori i Shoqatës “Burimi”, 
										është mbajtur një ceremoni hapje, në 
										prag të namazit të parë të xhumasë në 
										këtë xhami të re.
 
Fillimisht, 
										Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed 
										Sytari, ka falënderuar Shoqatën “Burimi” 
										për bashkëpunimin me Myftininë Shkodër, 
										që solli edhe realizimin e kësaj xhamie 
										të re shumë të dashur për besimtarët.
										 
Në fjalën e tij, Myftiu ka theksuar 
										se: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk 
										ka falënderuar as Zotin. Kësisoj unë dua 
										të falënderoj interesimin dhe lobimin e 
										Myftiut të Shkodrës në kohën e 
										realizimit të këtij bashkëpunimi, Imam 
										Ndriçim Sulejmani, si dhe Drejtorin e 
										Shoqatës “Burimi”, z. Sokol Mandi, për 
										këtë arritje të dashur për krejt 
										komunitetin tonë”.
 
Myftiu ka 
										vënë theksin te rëndësia që ka ngritja e 
										xhamive të reja, në një kohë kur akoma 
										në Shqipëri vazhdon të ndjehet ndikimi i 
										mësimeve të sistemit ateist që prishi 
										dhe shkatërroi xhamitë dhe institucionet 
										islame të kultit.
 
Ceremoninë e 
										ka përshëndetur edhe Drejtori i Shoqatës 
										“Burimi”, z. Sokol Mandi, që ka 
										falënderuar bashkëpunimin me Myftininë 
										Shkodër, duke shprehur njëkohësisht edhe 
										kënaqësinë e madhe të mbërritjes së 
										kësaj dite të begatë. Në fjalën e tij ka 
										shprehur falënderimet e tij edhe për 
										donatorin nga Kuvajti, z. Hamed El-Faris 
										si dhe bashkëpunëtorët e shoqatës së tij 
										për kontributin dhe sakrificën në 
										plotësimin e këtij projekti të bukur.
										 
Një fjalë përshëndetëse ka mbajtur 
										edhe z. Arben Ramkaj, që ka shprehur 
										kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë 
										ceremoni të gëzueshme për Shkodrën dhe 
										për mbarë bashkësinë e muslimanëve të 
										saj.
 
Ka përshëndetur edhe 
										Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, 
										z. Maxhid Cungu, që ka vlerësuar 
										ndërtimin e xhamisë së re në lagjen 
										Dërgut, duke shprehur njëkohësisht 
										mirënjohjen e tij për Myftininë Shkodër 
										dhe bashkëpunëtorët e saj, që po punojnë 
										përherë e më shumë për ngritjen e 
										xhamive të reja në qytet.
 
Me 
										përfundimin e kësaj ceremonie, është 
										kënduar ezani i parë i xhumasë, nga 
										teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë 
										Parrucë, si dhe është mbajtur hytbeja e 
										parë e xhumasë nga Myftiu I Shkodrës 
										Imam Muhamed Sytari.
           
										
