Me rastin e festës së
begatë të Kurban Bajramit, që nisi ditën
e martë, më 15 tetor 2013, Myftinia
Shkodër ka organizuar shpërndarjen e
kurbaneve të shumta, të bëra nga vetë
ajo, si dhe ato të ardhura nga besimtarë
të ndryshëm, shoqata bamirëse, Qendra
Islame Shqiptare në Kenosha të ShBA,
Dijaneti i Turqisë, dhe Ambasada e
Kuvajtit në Tiranë.
Duke nisur
nga dita e parë e Kurban Bajramit të
sivjetshëm, dita e dytë dhe e tretë,
janë organizuar grupet e punës që po
merren me kryerjen e të gjitha proceseve
për përgatitjen e pakove me mish kurbani,
për t’u shpërndarë në dyert e të
varfërve, nevojtarëve etj.
Ditën
e parë të Kurban Bajramit, Myftinia
Shkodër ka kryer shpërndarjen e 50
kurbaneve të ardhura nga Dijaneti i
Turqisë, të cilat janë shpërndarë për
njerëz në nevojë në 32 xhami të qytetit
dhe fshatit.
Ndërkohë, është
bërë edhe shpërndarja e 10 kurbaneve të
ardhura nga Ambasada e Kuvajtit në
Tiranë, të cilat i janë dërguar Shtëpisë
së Fëmijës dhe Shtëpisë së të Moshuarve
të Shkodrës, duke kontribuar sadopak në
gëzimin dhe atmosferën e kësaj feste në
banorët e këtyre dy institucioneve.
Në ditën e dytë të Kurban Bajramit, janë
shpërndarë qindra pako me mish kurbani
për njerëzit në nevojë të shumë xhamive
të tjera dhe njerëzve të varfër të
qytetit.
Myftinia Shkodër shpreh
mirënjohjen e saj dhe falënderimet më të
sinqerta për Qendrën Islame Shqiptare në
Kenosha të ShBA, Dijanetin e Turqisë dhe
Atasheun z. Shaban Ishlek, Ambasadën e
Kuvajtit në Tiranë, Shoqatën “Istanbul”,
si dhe të gjithë biznesmenët dhe
individët e ndryshëm që kanë afruar
kurbanet e tyre për t’i shpërndarë për
njerëzit në nevojë! All-llahu i
shpërbleftë me të mirat e Tij!