Paraditën e së martës,
më 15 tetor 2013, me rastin e Kurban
Bajramit, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka pritur vizitorët e shumtë që
kanë mbërritur në xhaminë e Parrucës për
të ndarë kënaqësinë dhe urimet e tyre me
rastin e kësaj feste të shënuar për
mbarë botën islame.
Vizitorë të
ndryshëm kanë dhënë mesazhet e tyre, ku
kanë uruar të gjithë besimtarët
muslimanë me rastin e kësaj feste të
begatë, duke vlerësuar maksimalisht
besimin, mesazhet e fesë dhe rolin e
çmuar të këtyre ditëve në ruajtjen dhe
kultivimin e mëtejshëm të frymës së
besimit në shoqëri.
Të shumtë
kanë qenë vizitorët që kanë ndarë urimet
e festës së Kurban Bajramit me Myftiun
dhe imamët e pranishëm në këtë pritje,
si: Kryetari i Bashkisë Shkodër,
Prefekti i Qarkut Shkodër, Kryetari i
Këshillit të Qarkut Shkodër, Kryetari i
Këshillit të Bashkisë Shkodër, Drejtori
i Policisë Shkodër, Arqipeshkvi
Shkodër-Pult, Famullitari i Kishës
Ortodokse, deputetë të forcave politike,
Konsulli i Italisë në Shkodër, Drejtori
i Kolegjit “Hasan Riza Pasha”, drejtues
të shoqatave etj.
Në përfundim
të pritjes tradicionale të Kurban
Bajramit, Myftiu ka falënderuar
përzemërsisht vizitorët e shumtë, miqtë
dhe dashamirët e Myftinisë Shkodër, si
dhe në mënyrë të veçantë gazetarët dhe
operatorët e mediave lokale të Shkodrës,
që ndoqën hap pas hapi ceremoninë e
Kurban Bajramit dhe pritjen e miqve.