Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


 


Harta e Vizitorëve





 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

 
Të nderuar dhe të dashur motra dhe vëllezër muslimanë,
 
Mbarë bota islame në këto momente i ka sytë dhe zemrën tek ata miliona besimtarë muslimanë fatlumë, nga mbarë rruzulli tokësor, që janë mbledhur në Arefat dhe po luten me zemër për një botë më të mirë, për një kthim të njerëzimit nga Zoti dhe për pastrimin e secilit nga gabimet dhe të metat personale, në rrugën e përmirësimit të cilësisë së jetës mbi tokë.
 
Në fakt, këto ditë të haxhit që finalizohen me Festën e Kurban Bajramit, janë në vetëvete një shkollë e madhe jete, ku secilit prej nesh i jepet mundësia për të reflektuar rreth mundësive pafund që na jep Zoti i gjithësisë, për t’u kthyer në origjinën e shëndoshë njerëzore; besimin dhe rrugëtimin në paqe drejt vullnetit të Zotit.
 
Ne shqiptarët, më mirë se shumë popuj të tjerë e dijmë se çfarë do të thotë t’i mbyllësh derën Zotit dhe të mos lejosh që drita e besimit të rrezatojë në jetë. Ne shqiptarët e kemi parë dhe provuar se çfarë do të thotë të jetosh pa besim! Do të thotë skamje, mjerim, varfëri, injorancë, padrejtësi, primitivizëm, prapambetje, intolerancë, korrupsion, nënçmim në rrafshin botëror etj.
 
Prandaj, në këtë ditë të madhe, në prag të Kurban Bajramit, unë ju drejtohem me zemër dhe ju them: Hapjani zemrën All-llahut, hapini dritaret e mendimit dhe lejoni që drita e besimit të ndriçojë jetën tuaj! Mos toleroni që rutina e përditshme ta vrasë mundësinë dhe shpresën e të kthyerit nga Zoti, sepse jeta pa besim është jetë e varfër dhe pa shpirt!
 
Kujtoni mirësitë pafund, me të cilat Zoti na ka lartësuar mbi krijesat e Tij, duke na dhënë mendjen, sytë, veshët, gjuhën, zemrën, gjymtyrët, krejt të mirat e kësaj bote, si e si të mendojmë dhe të punojmë pa ndërprerje për të arritur gradët e larta të besimit, bamirësisë, dijes, pasurisë, ndërtimit dhe krijimit të hapësirave të reja të bashkëpunimit dhe të harmonisë në jetë.
 
Ju uroj me zemër Kurban Bajramin, ditën në të cilën të gjithë jemi të ftuar të afrohemi me Zotin nëpërmjet vullnetit për të ndryshuar për mirë në jetë, me dorë në zemër dhe mendjen te shpresa e pendimit dhe pranimit para duarve të Tij!
 
Gëzuar dhe për shumë vjet Kurban Bajramin Shkodrës, Shqipërisë, mbarë ymetit islam!
 

Shkodër, Dita e Arefatit, më 14 tetor 2013

          

Mesazhi i Myftiut me rastin e Kurban Bajramit 1434/2013