Mbrëmjen e së xhumasë,
më 11 tetor 2013, Myftinia Shkodër ka
organizuar një emision fetar special, në
prag të Haxhit dhe Kurban Bajramit të
këtij viti.
Pyetjeve të teologut
Arben Halluni në lidhje me atmosferën
fetare në prag të Kurban Bajramit,
udhëtimin e muslimanëve shqiptarë e
atyre shkodranë në veçanti për kryerjen
e haxhit të sivjetshëm, afrimin e
njerëzve me frymën e moralit islam etj,
i është përgjigjur Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari.
Gjatë këtij
emisioni, Myftiu ka vlerësuar emocionet
dhe atmosferën festive të krijuar me
rastin e përcjelljes së haxhilerëve të
këtij viti, nga xhamia e Parrucës. Është
theksuar se nga viti në vit, përcjellja
e haxhilerëve po kthehet në një traditë
fetare, origjina e së cilës u shkëput
dekada më parë. Ai ka vlerësuar
interesimin e besimtarëve muslimanë
shkodranë për të kryer ritualet e haxhit,
përtej sakrificës dhe shpenzimeve të
mëdha ekonomike që ndodhin me këtë rast.
Myftiu është ndalur edhe te
rëndësia që ka mirëkuptimi i kujtdo që
dëshiron të afrohet dhe të dëshmohet si
besimtar dhe adhurues i Zotit, duke mos
paragjykuar asnjeri që nuk ka arritur
pjekurinë e duhur në marrëdhëniet e tij
me praktikën fetare.
Një nga
temat e këtij emisioni ka qenë edhe
mesazhi që jep Kurban Bajrami. Me këtë
rast, Myftiu i Shkodrës ka theksuar se
ndodhia e hz. Ibrahimit (a.s) dhe
përkushtimi i tij në marrëdhënie me
Zotin është një shkollë e madhe besimi.
Kjo ngjarje, - ka thënë Myftiu,- na
inspiron përherë për t’u bërë vepërmirë
dhe të përkushtuar në jetë. Ajo nxit
afrimin e njerëzimit me vullnetin e
nënshtrimit ndaj besimit, fesë dhe
udhëzimin drejt vullnetit të All-llahut
për njeriun në këtë jetë.
Në
fund të emisionit janë dhënë edhe urimet
e para me rastin e Kurban Bajramit.