Ditën e xhuma, më 4
tetor 2013, nga xhamia e Parrucës është
bërë përcjellja e haxhilerëve të këtij
viti, që do të udhëtojnë nga Shkodra
drejt vendeve të shenjta për kryerjen e
njërës prej pesë shtyllave të fesë
islame, haxhit.
Gjatë hytbes së
xhumasë, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka uruar haxhilerët, që do të
kenë mundësinë të përjetojnë mirësitë e
haxhit, në Qaben e Madhnueshme. Myftiu
ka folur për vlerat e haxhit dhe
madhështinë e qëndrimit në Arefat, ku do
të fallen gjynahet e haxhilerëve dhe do
të zbresë mëshira dhe butësia e All-llahut
mbi ta.
Myftiu ka kërkuar nga
haxhilerët që ta shfrytëzojnë kohën
maksimalisht për të adhuruar All-llahun,
për t’i bërë dhikër Atij dhe për të
mbushur zemrën me emocionet e këtij
adhurimi që tubon në një vend, miliona
muslimanë nga mbarë rruzulli tokësor.
Njëkohësisht ka kërkuar që haxhilerët të
luten për Shkodrën dhe Shqipërinë, si
dhe të mos harrojnë vëllezërit e tyre në
Siri dhe në mbarë botën islame, që
përjeton këto ditë një ndër sprovat më
të rënda të shekullit.
Pas
namazit të xhumasë, haxhilerët i ka
përshëndetur edhe Myftiu i Malësisë së
Madhe, H. Edmir Smajlaj, që këtë vit do
të jetë udhërrëfyes i haxhive të
Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Ai ka
konfirmuar se haxhi është mirësi e Zotit
dhe mundësia më e mirë për të mbushur
zemrën me besim dhe afrim me Zotin. Ai
është angazhuar që të lutet për xhematet
e Shkodrës dhe të bëjë lutje për
mirëqenien e muslimanëve shqiptarë dhe
të mbarë botës.
Më pas,
haxhilerët janë përshëndetur me
besimtarët e shumtë, që kishin
tejmbushur sheshin para xhamisë së
Parrucës, duke uruar rrugë të mbarë dhe
adhurim të pranuar për haxhilerët e
Shkodrës dhe të mbarë botës islame.
Haxhilerët janë përcjellur deri në
aeroportin e Rinasit nga Myftiu Imam
Muhamed Sytari i shoqëruar nga imami i
xhamisë Parrucë, teologu Naim Drijaj.