Për nder të imamit H. Kujtim Cufaj, që
do të udhëtojë këto ditë drejt vendeve
të shenjta për kryerjen e adhurimit të
haxhit, Myftinia Shkodër ka organizuar
ditën e martë, më 1 tetor 2013 një drekë,
në të cilën kanë qenë të ftuar imamët
dhe këshilltarët e saj.
Në fjalën e
tij përshëndetëse të këtij takimi,
Myftiu i Shkodrës, pasi ka falënderuar
imamët dhe këshilltarët e pranishëm, ka
theksuar se kjo drekë është një nderim
dhe vlerësim për imamin e nderuar H.
Kujtim Cufaj, që këtë vit do të kryejë
adhurimet e haxhit.
Myftiu ka
kërkuar nga imami i nderuar që të mos
harrojë të lutet për Myftininë e
Shkodrës, për imamët e saj, për xhematet
dhe besimtarët e Shkodrës, si shenjë e
vëllazërisë dhe harmonisë islame.
Njëkohësisht është lutur që haxhilerët e
këtij viti të kenë mbarësi, shëndet dhe
të shijojnë momentet e këtij adhurimi të
mrekullueshëm, pas të cilit do të
kthehen si ditën që kanë lindur.
Drekën e ka përshëndetur edhe Myftiu i
Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, që
këtë vit do të jetë pjesë e ekipit të
udhërrëfyesve të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë në udhëtimin e haxhit.
Pas drekës vëllazërore, H. Kujtim Cufaj
ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë
frymë vëllazërie dhe respekti ndaj
personit të tij. Imami i nderuar është
përshëndetur me të gjithë imamët duke
kërkuar lutjet e tyre dhe duke u
angazhuar për t’i kujtuar para Qabes së
Madhnueshme.