Mbrëmjen e së hënës,
më 30 shtator 2013, pas namazit të
akshamit, në xhaminë e Parrucës ka nisur
trajnimi treditor që Myftinia Shkodër
organizon këtë vit për të regjistruarit
për haxhin e këtij viti.
Në
fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
vlerësuar mirësinë e Zotit ndaj të
gjithë atyre që janë regjistruar këtë
vit për kryerjen e haxhit. Myftiu është
lutur për të gjithë ata që do të kryejnë
haxhin e sivjetshëm, duke uruar që të
ketë sa më shumë përfitime shpirtërore
për të gjithë.
Ndërkohë Myftiu i
Malësisë së Madhe H. Edmir Smajlaj, ka
konfirmuar kënaqësinë e tij për të qenë
në ekipin e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë të kujdestarëve në shërbim të
haxhive të këtij viti. Ai ka theksuar se
me mbarësinë e Zotit do të kalohen
eksperienca besimore nga më të
mrekullueshmet, në atë që e ka quajtur
si “udhëtimi i jetës”.
Më pas,
teologu Ruzhdi Plangaj, ka nisur
udhëzimet e tij drejtuar të
regjistruarve për haxhin e këtij viti
nga Shkodra. Fillimisht, ai ka përmendur
vlerën e madhe që ka haxhi, si një
adhurim që ndikon në fshirjen e
gjynaheve dhe largimin e varfërisë nga
realitetet e muslimanëve. Nëpërmjet
haditheve të ndryshme dhe ajeteve
kur’anore, ka shpjeguar mirësinë e madhe
që ka kryerja e haxhit për atë që i ka
mundësinë.
Më pas është
përqendruar te rregullat juridike islame
për kryerjen e një haxhi sa më të
rregullt e në raport të drejtë me
praktikën profetike.
Ky trajnim
do të vijojë edhe ditën e martë dhe të
mërkure, ndërkohë përcjellja e
haxhilerëve të këtij viti do të bëhet
ditën e xhuma, më 4 tetor 2013,
menjëherë pas namazit të xhumasë, nga
xhamia e Parrucës.