Ditën e enjte, më 5
shtator 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka mbledhur imamët dhe
teologët e qytetit të Shkodrës, në një
takim pune, në prag të xhumasë së parë
të muajit shtator.
Në fjalën e tij, Myftiu ka bërë një
analizë të shpejtë të muajit Ramazan dhe
ka nxitur domosdoshmërinë e
shfrytëzimit të kohës dhe mundësive për
të kryer me sa më shumë përkushtim
obligimet ndaj Thirrjes Islame dhe
nevojave të besimtarëve.
Myftiu ka theksuar se ditët e sotme
janë të mbushura me sprova nga më të
ndryshmet, kundër Islamit dhe
muslimanëve, kudo në botë. Ka përmendur
realitetet e mjegullta dhe të dhimbshme
në Egjipt, Siri, Irak, Palestinë etj,
dhe ka kërkuar nga imamët vijimin e
sensibilizimit të besimtarëve për të
bërë sa më shumë lutje për fëmijët,
nënat, baballarët, pleqtë e plakat,
burrat e gratë e pafajshëm në këto vende,
që përballen me zullume, që nuk kanë
lidhje me Islamin dhe mësimet e tij.
Myftiu ka dhënë sihariq se kjo që po
ndodh në botën islame është shenjë e
mirë, pasi pas natës së errët shumë
shpejt vjen agimi. “Ky është
shekulli i Islamit dhe i shpërbërjes së
perandorive të femohimit, vrasjes,
krimeve të luftës, shkeljes së të
drejtave të njeriut, shthurrjes morale
dhe islamofobisë!” – ka thënë
Myftiu.
Myftiu ka prezantuar para imamëve
edhe programin e ri të derseve të
përditshme në xhamitë e Shkodrës, që
rinis ditën e hënë, më 9 shtator 2013.
Njëkohësisht është dhënë udhëzim që
ditën e xhuma, më 6 shtator 2013 të
mblidhen fonde bamirësie në të gjitha
xhamitë e qytetit, në drejtim të
rinkonstruksionit dhe ndërtimeve të reja
në xhamitë e zonës Postribë.