Ditën e xhuma, më 23
gusht 2013, nga minberi i xhamisë së
Parrucës, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari, ka folur mbi realitetet e botës
islame dhe dhimbjen e madhe që ka
kapluar gjeografinë e vendeve me
popullsi muslimane, sidomos atë të
vendeve arabe.
“Në fillim të
kësaj hytbeje, dua të shpreh një
ngushëllim të sinqertë për secilin prej
jush, për mbarë komunitetin tonë. Dua të
shpreh një ngushëllim të madh për
vëllezërit tanë në botën arabe islame,
që vriten pafajshmit gjatë këtyre ditëve
të fitnes më të madhe të shekullit që ka
kapluar botën arabe dhe atë islame.
Para dy ditësh, në Guta të Damaskut,
mbi një mijë muslimanë të pafajshëm, në
mesin e të cilëve qindra fëmijë, u
gdhinë të vdekur nga gazi sarin. Cili
ishte faji i tyre? Çfarë gjynahi bënë që
të pësonin këtë fund të dhimbshëm? (Ne
besojmë se ata janë shehidë tek All-llahu,
por kush përgjigjet për këtë krim ndaj
njerëzimit?!) Ata fëmijë të pafajshëm,
janë përkufizimi më i mirë që Kur’ani i
bën realiteteve të periudhës së
injorancës arabe, para Islamit: “Dhe kur
vajzat e groposura do të pyeten në ditën
e llogarisë: Për çfarë faji u vranë?”
Prandaj, detyra dhe obligimi i
secilit prej nesh është të mos
neglizhojë këto lajme, por të kuptojë
thellë në veten e tij se kjo është një
luftë kundër Islamit dhe mirësisë së tij!
Sot, na etiketojnë si terroristë,
ekstremistë, vrastarë etj, në fakt ne
nuk jemi kështu. Historia e jonë është
historia e paqes, e tolerancës, e
bamirësisë! Ne nuk kemi djegur dijetarët,
nuk kemi djegur bibliotekat, nuk kemi
shkatërruar trashëgiminë e tjerëve, nuk
kemi vrarë fëmijë, gra, pleq, të
pafajshëm, nuk kemi djegur pemë! Ne jemi
muslimanë, burimi i mirësisë, paqes,
bamirësisë!
Prandaj, kjo që
ndodh sot, duhet të na nxisë të kthehemi
nga shembulli i Resulull-llahit (a.s) në
mënyrën e jetesës, në komunikim me
njëri-tjetrin dhe botën mbarë. Sepse,
modeli më i mirë i jetesës tonë është
Islami, jo modeli që na serviret sot nga
të pafétë!
Ajo që ndodh sot në
botën islame, është shenjë e ringjalljes
islame dhe dëshmimit të këtij shekull si
shekulli i Islamit!” – ka thënë ndër të
tjera Myftiu.
Gjatë kësaj
hytbeje, Myftiu ka bërë thirrje që të
bëhen lutje pas çdo namazi, për
vëllezërit tanë muslimanë në Siri, në
Egjipt dhe në mbarë botën.
Pas
namazit të xhumasë, në drejtimin e
Myftiut është kryer falja e namazit të
xhumasë në mosprezencë, për shehidët e
Gutas në Damask të Sirisë.