Që në orët e para të
mëngjesit të ditës së enjte, më 8 gusht
2013, besimtarë të shumtë muslimanë, nga
çdo cep i Shkodrës, janë grumbulluar në
sheshin bri xhamisë “Ebu Bekër”, për të
marrë pjesë në ceremoninë e Fitër
Bajramit të këtij viti.
Pas 30 ditëve agjërim, lutje,
adhurime, lexim Kur’ani e bamirësi,
muslimanët e Shkodrës, të Shqipërisë dhe
të mbarë botës islame, festojnë sot
ditën e parë të Fitër Bajramit.
Pas faljes së namazit të sabahut me
xhemat, ceremonia e kësaj dite ka vijuar
me ligjëratën e parë fetare të mbajtur
nga thirrësi islam Lavdrim Hamja. Gjatë
saj, ai ka folur mbi rëndësinë që ka
vlerësimi i Kur’anit në jetën e
muslimanit, si burimi kryesor i fesë dhe
besimit. Ai ka përmendur se Kur’ani
është Libri i fundit i zbritur për
udhëzimin e njerëzimit në besimin dhe
udhëzimin hyjnor. Njëkohësisht ka
kërkuar nga të pranishmit që të sillen
nga Kur’ani dhe ta bëjnë atë pjesë të
jetës së tyre, me lexim, mësim dhe
veprim
Ligjërata e dytë e kësaj dite, është
mbajtur nga Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari. Në fjalën e tij, Myftiu
ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve
të panumërt, rreth domosdoshmërisë së
kthimit nga dija dhe braktisjes së
injorancës dhe veseve që ajo prodhon në
shoqëri.
Myftiu ka theksuar se realitetet e
sotme shqiptare janë rezultat i
rrugëtimeve të gabuara drejt ateizmit
dhe afetarizmit, si dhe tendencave
islamofobe, që po zëvendësojnë sot
periudhën e komunizmit vrastar të para
23 viteve.
Për këtë, Myftiu ka kërkuar që lënda
e edukatës fetare të bëhet pjesë e
kurrikulave në shkollat e Shqipërisë,
edhe si një model europian. Myftiu i
është referuar edhe mesazhit që Papa i
ri i ka dërguar botës islame, ku ndër të
tjera fton drejt respektit të
ndërsjellët nëpërmjet edukimit. Nga këtu,
Myftiu ka kërkuar edhe nga drejtuesit e
tjerë fetarë që të bashkohen në këtë
kërkesë më se legjitime për shtimin e
lëndës së edukatës fetare në kurrikulat
e arsimit parauniversitar shqiptar.
Pas faljes së namazit të Fitër
Bajramit, hytbeja e kësaj dite festive
është mbajtur nga imami i xhamisë “Ebu
Bekër”, teologu Idmir Plaku, në të cilën
ka folur rreth vlerave të kësaj dite, si
dhe mesazheve universal të muajit
Ramazan, që duhen vepruar edhe pas tij.