Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


 


Harta e Vizitorëve





 

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit të Muajit të Ramazanit: T’i zbatojmë me përpikmëri dhe t’i ruajmë Ritet që për ne shqiptarët përbëjnë tashmë një trashëgimi dhe traditë

3 gusht 2013

Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani shtroi sonte një Iftar në Pallatin e Brigadave, me rastin e Natës së Kadrit të Muajit të Ramazanit.

Të pranishëm në këtë Iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça,drejtuesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të trupit diplomatik dhe të institucioneve kushtetuese si dhe përfaqësues nga bota akademike, të artit dhe kulturës.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani në Iftarin që shtroi në Pallatin e Brigadave me rastin e Natës së Kadrit të Muajit të Ramazanit.

I nderuar zoti Kryetar i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça,
Të nderuar drejtues të komuniteteve fetare në Shqipëri,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar drejtues të institucioneve kushtetuese,
Të nderuar besimtarë myslimanë të pranishëm në këtë darkë të Iftarit dhe në të gjithë Shqipërinë,

Ju falenderoj që pranuat ftesën për të ardhur në këtë Iftar që kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta shtroj për Ju.

Gjatë këtyre ditëve dhe netëve të Ramazanit të madhnueshëm, Ju të dashur besimtarë përbuzni materialitetin dhe ngrini lart Idealizmin. Përmes kësaj sfide që i bëni materialitetit përmes vuajtjes dhe sakrificës, Ju bëni atë që më tepër se gjithçka i duhet njerëzimit; dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti.

I këshillueshëm por jo i detyrueshëm, ky Rit i vuajtjes individualisht gjatë ditës dhe i të gëzuarit bashkarisht në mbrëmje, si sonte në këtë Iftar, është padyshim një Ritmadhështor shumëdimensional, nga më të bukurit, më kuptimplotët dhe më të vlefshmit për secilin Njeri.

Me anë të këtij Riti të shenjtë, myslimani agjërues rievokon vlerat morale, dhe shenjtërore përmes;

-Reflektimit mbi Krijuesin, botën, njerëzit, marrëdhëniet e tyre, problematikat,  si dhe, për aq sa është e mundur, për zbutjen e atyre problematikave, humanizimin e tyre.

-Sjelljes në vëmendjen e besimtarëve që “kanë” sepse janë të pasur dhe “munden” sepse janë të fuqishëm, të faktit se ka dhe të tjerë besimtarë që “nuk kanë” sepse janë të varfër dhe “nuk munden” sepse janë të dobët.

-Kujtesës për faktin se lakmia e pafundme është një ves i dëmshëm, një tundim djallëzor, që në fund të fundit dëmton njëlloj; sa vet lakmitarin e panginjur edhe gjithë të tjerët.

-Ngjalljes së shpresës tek të varfrit, duke u kujtuar atyre se nuk janë të harruar, nuk janë vetëm, se për ta dikush mendon, dikush I mëshiron, dikush me ta diçka ndan.

-Ndërgjegjësimit të besimtarëve myslimanë se pa kontributin e gjithsecilit për paqen e të gjithëve, drejtësinë e të gjithëve, mirëqenien e të gjithëve, njeriu nuk është njeri, dhe jeta nuk është jetë por Ferr.

Të nderuar mysafirë,

Të qenët i uritur materialisht dhe i ngopur shpirtërisht, është një e mirë e madhe.

Të qenët i uritur shpirtërisht dhe i ngopur materialisht është një e keqe e madhe.

Uria e vullnetshme dhe e shenjtë e Ramazanit, kjo uri e bukur të cilën gjatë këtij Iftari do ta largojmë, është goxha larg urisë së shëmtuar të imponuar të dhjetëra viteve të shkuara. Është jashtëzakonisht entuziazmues fakti se brenda urisë së imponuar të asaj kohe të mallkuar, kishte jo pak shqiptarë që mbanin Ramazan. Është vërtet një gjë madhështore dhe njëkohësisht rrëqethëse ta kujtosh sot atë heroizëm.

Ishte pikërisht ky besim i pafundmë tek Zoti, ishte pikërisht kjo bindje e palëkundur tek të mirat e sakrificës dhe durimit, që e mbajtën gjallë besimin dhe bënë të mundur që Zoti të triumfojë mbi djallin, e mira mbi të keqen, e bukura mbi të shëmtuarën, pasurimi mbi fukarallëkun, kjo kohë ndaj asaj kohe, dhe erdhi kjo ditë që lirshëm mund të mbajmë Ramazan, të shtrojmë Iftar, dhe të zbatojmë të gjitha Ritet.

Duke dëshmuar përkushtimin ndaj Zotit me privim dhe sakrificë, Ju dëshmoni superioritetin e virtytit ndaj vesit, seriozitetit ndaj papërgjegjshmërisë, punës ndaj parazitizmit, vlerave ndaj antivlerave, principe universale këto, zbatimi i të cilave me kalimin e kohës sjell vetëm të mira.

T’i zbatojmë me përpikmëri dhe t’i ruajmë Ritet që për ne shqiptarët përbëjnë tashmë një trashëgimi dhe traditë.

Duke u përkulur me nderim para Jush dhe të tjerëve besimtarë myslimanë, edhe një herë dua t‘ju falenderoj të gjithëve Ju që më nderuat me praninë tuaj në këtë Iftar.

Pas një dite sakrifice, është e kuptueshme që Ju tani, të uritur bukur, po prisni të nisni Iftarin.

Zoti ju bekoftë; Ju, Shqipërinë, shqiptarët kudo ndodhen dhe të gjithë miqtë e tyre.

Ju bëftë mirë!

Marrë nga: http://president.al/?p=10888

        

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit - 3 gusht 2013

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit - 3 gusht 2013

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit - 3 gusht 2013

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit - 3 gusht 2013

Presidenti i Republikës shtron Iftar me rastin e Natës së Kadrit - 3 gusht 2013