Ditën e shtunë, më 3
gusht 2013, Myftinia Shkodër në
bashkëpunim me Grand Hotel Europa, kanë
organizuar iftarin tradicional të Natës
së Kadrit.
Të pranishëm në këtë
iftar kanë qenë përfaqësues të lartë të
Myftinisë Shkodër, drejtues të
komuniteteve fetare, Kryetari i Bashkisë
z. Lorenc Luka, drejtues të tjerë lokalë
e vendor, intelektualë, biznesmenë e
besimtarë të shumtë.
Në emër të
Myftinisë Shkodër ka përshëndetur
teologu Arben Halluni, i cili ka
vlerësuar bujarinë dhe traditën
shembullore të krijuar nga Grand Hotel
Europa dhe pronari i saj, z. Agron Çela,
në shtrimin e iftarit të Natës së Kadrit.
Ai ka përcjellur edhe urimet më
të mira të Myftiut të Shkodrës, duke
përcjellur lutjet e tij për mbarësinë e
të gjithëve, në këtë natë dhe në çdo
përpjekje për të rrugëtuar drejt
bamirësisë.
Njëkohësisht ka
theksuar se kjo Natë është më e mirë se
një mijë muaj, prandaj duhet që
besimtarët të përfitojnë nga momentet e
saj për t’u afruar me Zotin nëpërmjet
adhurimit dhe bamirësive.
Pas
iftarit, besimtarët janë drejtuar nëpër
xhamitë e ndryshme për të marrë pjesë në
lutjet dhe adhurimet e Natës së Kadrit.
|
|
|