Ditën e shtunë, më 3
gusht 2013, pas namazit të mesditës në
xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër ka
organizuar ceremoninë e përfundimit të
Leximit të plotë të Kur’anit Famëlartë (Hatmes
Sherife).
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë
besimtarë të shumtë, imamë të xhamive të
qytetit dhe fshatit etj, të cilët për 26
ditë radhë janë angazhuar për të kryer
plotësisht këtë mirësi të madhe dhe këtë
traditë profetike shekullore në ymmetin
islam, Leximin e plotë të Kur’anit
(a.sh) gjatë Muajit Ramazan.
Aktiviteti ka nisur me referatin me
temë: “Kur’ani, udhërrëfyesi më i mirë
në jetë”, mbajtur nga teologu Lavdrim
Hamja. Gjatë tij, ai ka hedhur dritë mbi
argument të shumta nga Kur’ani, Tradita
profetike, jeta e sahabëve dhe pasuesve
të tyre, në lidhje me vlerën dhe
rëndësinë e leximit të Kur’anit,
përfundimin e hatmeve, sidomos në
Ramazan, vlerën e tubimeve për të
kënduar Kur’an dhe për ta bërë hatme atë,
vlerën e angazhimit për të punuar
konform ajeteve kur’anore në jetë etj.
Në këtë referat me vlerë shkencore
dhe fetare është përmendur edhe fakti se
disa nga sahabët, si Ibni Abbasi (r.a),
dërgonin njerëzit e tyre për të gjurmuar
personat që bënin hatme Kur’anin, për të
prezantuar në duanë e tyre, nga bindja
se pas hatmes së Kur’anit ka përherë një
duá të pranuar.
Më pas, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, ka falënderuar të gjithë
imamët dhe aktivistët që morën pjesë
këtë vit në leximin e plotë të Kur’anit
dhe përfundimin e Hatmes Sherife, nën
drejtimin e tij.
Myftiu ka
vlerësuar me çertifikatë “Mirënjohje”,
secilin prej pjesëmarrësve në leximin e
plotë të Hatmes së sivjetshme, duke
nisur nga: H. Fejzi Zaganjori (imam,
xhamia Rus), Lavdrim Hamja (teolog),
Naim Drijaj (imam, xhamia Parrucë),
Xhavit Sokoli (imam, xhamia Drisht) dhe
aktivistin Ervin Metani, me këtë dedikim:
“Për angazhimin në ruajtje të Traditës
shekullore të plotësimit të Hatmes
Sherife në qytetin e Shkodrës, për
kontributin dhe përkushtimin në
mbarëvajtjen e këndimit të plotë të
Kur’anit Famëlartë, gjatë 26 ditëve të
Muajit Ramazan 1434 / (9 korrik – 3
gusht 2013). All-llahu qoftë i kënaqur
me veprën Tuaj në shërbim të komunitetit
dhe në lartësim të Fjalës së Tij!”.
Më pas është bërë leximi i dhjetë
sureve të fundit, me të cilat është
mbyllur me bereqetin e All-llahut kjo
Hatme Sherife, si dhe është bërë duaja e
rastit nga Myftiu i Shkodrës.
|
|
|
|
|
|
|
|