Mbrëmjen e së
mërkures, më 31 korrik 2013, Kryetari i
Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka ka
shtruar iftarin tradicional të Bashkisë
Shkodër, me rastin e Muajit të
Madhërueshëm të Ramazanit.
Në këtë iftar kanë qenë të ftuar
drejtuesit kryesorë lokalë e vendorë të
Shkodrës, përfaqësuesit e lartë të
komuniteteve fetare në Shkodër, drejtues
të shoqatave islame, imamë, teologë,
këshilltarë të Bashkisë etj.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari
i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, ka
vlerësuar besimin si shtyllën kryesore
të harmonisë dhe mirëkuptimit në shoqëri.
Ai ka vlerësuar Muajin Ramazan si muaj
të adhurimit dhe kthimit nga Zoti me
përkushtim. Njëkohësisht ka falënderuar
kontributin e komuniteteve fetare në
Shkodër, si burim harmonie dhe
përkushtimi në Shkodër.
Imam Muhamed Sytari, pasi ka
falënderuar Kryetarin e Bashkisë Shkodër
për këtë iftar, ka vlerësuar mbi të
gjitha shembullin e harmonisë ndërfetare
në Shkodër, që dëshmohet sidomos në
raste festash e gëzimesh të ndërsjellta
fetare.
Dom Gjovalin Sukaj, Famullitar i
Kishës katolike, ka uruar të pranishmit
me rastin e Muajit Ramazan dhe ka
vlerësuar sofrat e besimit dhe harmonisë
në Shkodër.
Përshëndetjet e tij dhe urimet me
rastin e Ramazanit dhe kësaj sofre
bujare, i ka dhënë edhe At Aleksandër
Petani, Famullitar i Kishës Ortodokse në
Shkodër.
Gjatë këtij iftari është dëshmuar më
së miri fryma e mirëkuptimit,
vëllazërisë dhe harmonisë në mesin e
besimtarëve dhe drejtuesve lokalë e
fetarë të Shkodrës.
Iftari i kësaj nate është
mbyllur me duanë e bërë nga H. Fejzi
Zaganjori.
|
|
|
|
|
|
|