Për të dytin vit
radhazi, ditën e hënë, më 29 korrik
2013, “Rozafa Sea Food”, ka shtruar
iftarin e Muajit Ramazan, në ambientet e
saj pranë xhamisë së Parrucës.
Të pranishëm në këtë sofër bujare të
Ramazanit, kanë qenë antarët e Këshillit
të Myftinisë Shkodër, drejtues të lartë
të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
Myftiu i Malësisë së Madhe, imamë,
teologë, aktivistë të Myftinisë Shkodër
etj., që kanë kaluar së bashku një
mbrëmje të këndshme, në shoqëri të
bisedave të dobishme, lutjeve dhe
urimeve për këto ditë të begata të
Muajit Ramazan.
Në fjalën e tij përshëndetëse,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari,
pasi ka falënderuar pronarët e këtij
biznesi në Shkodër, ka vlerësuar
iniciativën e shtrimit të iftareve, si
një dëshmi besimi dhe vlerësimi ndaj
përkushtimit dhe sakrificës së
agjëruesve. Ai ka vlerësuar atmosferën e
besimit dhe klimën e respektit ndaj
agjërimit në Shkodër, si një vlerë që sa
vjen e shtohet.
Iftari ka dëshmuar modelin e
harmonisë dhe vëllazërisë në mesin e
besimtarëve, që dëshmojnë përkushtimin e
tyre ndaj njërës prej pesë shtyllave
kryesore të fesë islame; agjërimit të
muajit Ramazan.
Myftiu ka falënderuar në mënyrë
të veçantë edhe drejtuesit e lartë të
K.M.Sh, nën/kryetarin z. Gazmend Aga,
kancelarin z. Ali Zaimi, drejtorin e
kulturës z. Genti Kruja dhe drejtorin e
vakëfit z. Uran Kalej, për praninë e
tyre dhe pjesëmarrjen në këtë iftar
vëllazëror.
|
|
|
|