Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


 


Harta e Vizitorëve





 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Nga vitet e para të rilejimit të fesë në vendin tonë, leximi i plotë i Kur’anit, ndryshe thënë Hatmeja e Kur’anit, është kthyer në një traditë të vyer e me vlerë për krejt komunitetin musliman në qytetin e Shkodrës.
           
Në kujtesën time, i pari që e ringjalli këtë traditë në Shkodër, diku nga viti 1992, ishte Haxhi Nuh Gavoçi. Me banim në Damask të Sirisë, trashëgimtar i Haxhi Hafiz Sulejman Gavoçit, ai ishte një lexues perfekt i Kur’anit, të cilin e kishte mësuar përmendësh që në moshë të re.

Sigurisht, tradita e re që ai po ringjallte në Shkodër, ishte pjesë e një tradite të vyer, që zhvillohej edhe nga hoxhallarët e vjetër të Shkodrës, që njiheshin për leximin e Kur’anit dhe mësimin e tij përmendësh. Nga bisedat me besimtarë të moshuar, dëshmohet se edhe Hafiz Ali Korça ka falur namazin e teravisë në Shkodër si imam, duke lexuar nga një xhyz Kur’ani për çdo natë teravie.
           
Tradita e Hatmes së Kur’anit, vijon të përsëritet e të dëshmohet vit pas viti në Shkodër, si pjesë e Muajit Ramazan. Origjina e saj kthehet në hadithet e Resulull-llahit (a.s) dhe në traditën individuale të sahabëve, tabiinëve dhe tabi tabiinëve, deri në ditët e sotme.  

Sa për ilustrim, në një transmetim të Imam Muslimit nga Ebu Hurejra (r.a) dëshmohet se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Sa herë që një popull mblidhen në një shtëpi prej shtëpive të All-llahut për ta lexuar Librin e All-llahut dhe për ta mësuar atë në mes vete, atyre do t’u zbresë prehja dhe qetësia, do t’i mbulojë mëshira, do t’i rrethojnë melekët dhe do t’i përmendë All-llahu tek melekët”.

Ndërkohë, në transmetimin e Imam Bejhekiut, transmetohet se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Çdo ftues në një sofër ka dëshirë t’i përgjigjet ftesës së tij. Sofra e All-llahut është Kur’ani, mos e braktisni!”.

Nga këtu, por edhe shumë argumente të panumërta që tërheqin vëmendjen drejt përfitimit të kohës për leximin e plotë të Kur’anit në muajin e zbritjes së tij, edhe Myftinia Shkodër ka organizuar vit pas viti leximin e plotë të Fjalës së All-llahut në një prej xhamive kryesore të qytetit. Kësaj tradite i janë bashkangjitur shumë imamë, teologë, hafizë të ardhur nga Turqia, Kosova, Egjipti e gjetkë, duke e bërë edhe më tërheqës këndimin e ajeteve dhe sureve, me zëra dhe mekame të larmishme.

Këtë vit, së bashku me imamë e teologë të nderuar vijojmë rrugën e thirrjes profetike dhe gjurmëve të baballarëve, duke e pasuruar këtë traditë edhe me ndalesa të ndryshme gjatë këndimit, ku bëhen sqarime dhe komente rreth ajeteve të ndryshme, duke i dhënë një pamje edhe më tërheqëse këtij tubimi të begatë pas namazit të iqindisë.

Ditën e sotme, më 21 korrik 2013, pas përfundimit të xhyzit të pesëmbëdhjetë, e pashë me vend të bëj një falënderim të përzemërt për imamin e xhamisë Parrucë, teologun Naim Drijaj, imamin e xhamisë Rus, H. Fejzi Zaganjori si dhe thirrësin islam Lavdrim Hamja, të cilët me besnikëri e ndjekin ditë pas dite këtë traditë të Muajit Ramazan në Shkodër, duke u bërë pasuesit dhe zbatuesit më të rregullt të saj.

Njëkohësisht një falënderim të përzemërt edhe për imamin e nderuar z. Xhavit Sokoli dhe vëllanë e përkushtuar Ervin Metani, që së bashku me imamët e lartpërmendur kanë dhënë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij tubimi plot vlera në xhaminë e Parrucës.

All-llahu e begatoftë kohën tonë dhe na dhashtë mbarësi për ta plotësuar Hatmen e sivjetshme dhe për ta trashëguar këtë traditë brezash tek të rinjtë frekuentues të saj ditë pas dite.


Shkodër, më 21 korrik 2013

      

Hatmeja e Kur’anit në Ramazan- në gjurmët e një tradite të dobishme … - 1434/2013