Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Për herë të parë,
namazin e teravisë e kemi mësuar nga
predikimet dhe librat e Hoxhës tonë, H.
Vehbi S. Gavoçi. Ishte kaderi hyjnor i
gjërave, që feja e shqiptarëve të mos
humbej skutave të injorancës ateiste të
komunist��ve të pafé, që kishin marrë mbi
supe misionin e tjetërsimit dhe fshirjes
së një identiteti shekullor… Zoti i
gjithësisë kishte zgjedhur nga mesi i
shqiptarëve të asaj kohe, burra të
bardhë, që në vitet e para të
rimëkëmbjes, diku pas në ditët e para të
vitit 1991, do të ishin aty, në krye të
detyrës së vështirë të rizgjimit nga një
komë intelektuale e besimore mbi 23
vjeçare të muslimanëve shqiptarë…
Të gjithë e dinin se teravia, namazi
shtesë pas jacisë së netëve të Ramazanit,
ishte 20 rekate. Faleshin shpejt. Dhjetë
suret e fundit përsëriteshin nga dy herë.
Aq ishte, ajo që kishte ngelur në
kujtesën e imamëve a drejtuesve fetarë
të atyre ditëve të varfëra… Ndoshta edhe
pak më shumë se kaq…
Hoxha, një hafiz i Kur’anit, përherë
porosiste për faljen e teravisë dhe
mbushjen e ditëve me adhurim, lexim
Kur’ani e shtim sa më tepër të namazeve
nafile, sidomos në prag të syfyrit a
edhe pas dhikreve të sabahut, si namazi
i duhasë…
Në një prej librave të tij, Hoxha
shkruan: “Me falë natën teravinë me 20
rekatë mbas jacijet si janë falë të
vjetrit tek ne e kudo dhe siç falen edhe
sot në Mekke e Medine e mos me u marrë
me fjalët e atyre që thojnë mos e shtoni
teravinë më shumë se 8 reqatë, se të
parët tonë e të arabëve, Ylematë tonë,
të Mekkes e të Medines dijnë ma mirë se
të rinjtë e sotshëm që po ia kthejnë
mendjen dikujt për mos me e shty
teravinë e mos me e falë me 20 reqatë.”
Hoxha, shkonte edhe përtej këtyre
fjalëve, kujtonte me nostalgji
fëmijërinë e tij: “Jena mësu qysh të
vegjël me e falë Teravinë në xhaminë e
Garucit në Shkodër me 20 reqatë. U
rritme e shkuam në Siri (Damask) e edhe
atje Teravinë e falshim me 20 reqatë.
Shkova në Egjipt me mësue për fenë
Islame ku qëndrova 10 vjet edhe atje e
falshim Teravinë me 20 reqatë. Po në atë
mënyrë e falshim Teravinë edhe në Mekke
e në Medine ku qëndrova për 8 vjet, edhe
sot përsëri e falin Teravinë me 20
reqatë me të mirën e Zotit (xh.sh).
Teravia ashtë synet jo farz se
farzet janë siç e dimë vetëm pesë.
Mirëpo syneti në Ramazan ka sevapin e
farzit siç e kena përmendë ma përpara.
Prandaj duhet me u mundue mos me u
kursue për këtë kohë që falena në të
mbasi ka atë sevapë aq të madh.”
Dhe tradita e 20 rekateve, ajo e
vendosur nga Hz. Omeri (r.a) dhe e
miratuar nga praktika e sahabëve dhe
pasimi i imamëve të mëdhenj, si Ebu
Hanife, Shafii, Malik e Ahmed, vazhdon
të mbushë edhe sot xhamitë tona… Sikur
don të përkthejë në realitet hadithin e
Resulull-llahit (a.s): “Unë nuk e di
sesa do jetoj pas kësaj dite, prandaj
ndiqni ata që vijnë pas meje, Ebu Bekrin
dhe Omerin"- (Tirmidhi)…
Këtë vit,
në shoqërinë e disa vëllezërve, imamëve
e teologëve, po përpiqemi ta falim
teravinë e çdo nate Ramazani, në një
prej xhamive të shumta të Shkodrës…
Nga nata e parë e deri tani, kemi
falur 20 rekatet e teravisë në Xhaminë e
Plumbit, në Bardhej, në Parrucë, në Rus,
në Tophanë, në Dragoç, në xhaminë e
Medresesë, në Oblikë dhe në Bërdicë të
Mesme.
Ajo që ndjehet dukshëm, si aroma e
mirë e një luleje të hapur, është
përshpirtësia e pakrahasueshme e netëve
të këtij muaji të begatë dhe vullneti i
besimtarëve për ta shijuar namazin e
natës, teravinë, lutjet, bisedat
vëllazërore pas namazit, pyetjet,
përqafimet, urimet…
Kudo, në secilën prej xhamive në
fjalë, frekuentuesit e namazit të
teravisë janë të moshave të ndryshme.
Normalisht, më të gëzuar janë të
moshuarit, që e shijojnë çdo natë
Ramazani, si thesar jete… Por, janë edhe
të rinjtë e shumtë, që e gjallërojnë
xhaminë me prezencën e tyre. Është
sihariq për kohën dhe shoqërinë ku
jetojmë, që ka të rinj të edukuar, që
besojnë në Zot, që kanë dëshirë të jenë
praktikantë në qetësinë e tyre, që
vrapojnë për të mësuar dhe në heshtje
rriten e rriten, me mbarësinë dhe
përkujdesjen e Zotit…
Ndoshta, një ditë, edhe ata, të
rinjtë e xhamive tona, do të dëshmojnë,
njësoj si Hoxha i jonë: “Jena mësu qysh
të vegjël me e falë Teravinë në xhaminë
e Garucit në Shkodër me 20 reqatë...”.
Ndërsa teravia, me 20 rekatet e saj,
mbetet po ajo, tradita shekullore që
bashkon muslimanët në rrugën e kërkimit
të pëlqimeve hyjnore...
Shkodër, 17
korrik 2013
në prag të ditës
së nëntë të Ramazanit 1434
|
|
|
|
|
|
|