Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


 


Harta e Vizitorëve





 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Të nderuar vëllezër dhe motra,
           
Kam kënaqësinë t’ju uroj me zemër në prag të hyrjes së Hanës së re të Muajit Ramazan 1434, që korrespondon me datën 9 korrik 2013.
           
Ramazani i begatë po troket në dyert tona, le t’ia hapim ato me shumë mall, me pritje të gjatë dhe nostalgji adhurimesh, lutjesh e mundësi afrimi me All-llahun, që vetëm në botën e këtij muaji mund të përjetohen!
           
Resulull-llahi (a.s), na ka përgatitur me rastin e ardhjes së këtij muaji të pashembullt, duke na thënë: "Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë! Ju mëshiron All-llahu në të, duke iu fshirë me mëshirën e Tij gabimet dhe duke iu përgjigjur lutjeve tuaja. All-llahu shikon në adhurimin tuaj dhe mburret me ju para melekëve. Tregoni pra All-llahut nga vetja juaj, vetëm të mira.  I shkretë është vetëm ai, që s'e meriton mëshirën e All- llahut në këtë muaj".
           
Prandaj, le të bëjë secili më të mirën e tij, për të arritur në gradët e pëlqimit dhe të  kënaqësisë me Zotin Mëshirëplotë, duke nisur nga dita e parë e këtij muaji plot mirësi e përkujdesje hyjnore!
           
Le ta bëjmë këtë Ramazan, muaj të ndryshimit në jetën tonë, duke u dëshmuar ndjekës të rrugëve të përkushtimit!

Ai që ka pasur mëdyshje për nisjen e namazit, le ta provojë në këtë Ramazan!

Ai që ka pasur ndrojtje për dhënien e zekatit, le ta bëjë në këtë Ramazan!

Ai që është në dilemë për t’u ndarë nga alkooli, le të ndahet prej tij në këtë Ramazan!

Ajo që ka ngurruar deri më sot për t’u stolisur me hixhabin e përkushtimit, le të mbulohet me vellon e besimit dhe dorëzimit para dashurisë së Zotit, në këtë Ramazan!

Ai që ka ngurruar për të mësuar gjuhën e Kur’anit, le ta nisë në këtë Ramazan, për ta lexuar fjalën e Zotit dhe për ta kuptuar atë si duhet!

Të dashur besimtarë,
           
Le ta bëjmë këtë Ramazan, muaj të mbrojtjes dhe dëshmimit të identitetit tonë fetar, pa ndrojtje, pa frikë, pa mëdyshje!

Le të dëshmohemi si muslimanë të përkushtuar, njerëz ndërtues dhe përhapës të dijes së dobishme, kulturës mbi baza vërtetësie, harmonisë mbi baza respekti reciprok, larg hipokrizisë, dyfytyrësisë, zilisë vrastare e smirës që nxit urrejtje!
           
Le ta bëjmë këtë Ramazan, muaj reflektimi në komunitet, duke na shërbyer namazet e pesë kohëve me xhemat, për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, për ta forcuar lidhjen mbi bazën e përulësisë ndaj njëri-tjetrit, për të njësuar objektivat dhe qëllimet e përbashkëta, për të synuar më të mirën në realitetet ku jetojmë, ne dhe fëmijët tanë, për të kërkuar pa frikë të drejtat e mohuara për dekada, dinjitetin e nëpërkëmbur, mundësinë për të kontribuar në ndërtimin e qytetit dhe komunitetit ku jetojmë dhe punojmë, me frikën e All-llahut dhe dashurinë prej Tij!

Vëllezër dhe motra,
           
All-llahu e begatoftë për secilin prej jush mundësinë e afrimit me Mëshirën e Tij, me Faljen dhe Vulosjen e zemrës me Besim dhe Dritë Dashnie Hyjnore në këtë Ramazan dhe përtej tij!
           
Me zemër të mirë Ramazanin të gjithë muslimanëve të zonës Shkodër, atyre të mbarë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare!

Me zemër të mirë Ramazanin, muslimanëve të mirë shqiptarë në emigracion, atyre në diasporë. Sidomos të rinjve, atyre që na mungojnë dhe që ndjejnë mungesën prindërore, në syfyr e në iftar; All-llahu iu dhashtë mbarësinë dhe suksesin në jetë!

Me zemër të mirë Ramazanin krejt të burgosurve, që kanë gjetur dritën e besimit dhe reflektimin e faljes, para duarve të Krijuesit Mëshirues, Falës!

Me zemër të mirë Ramazanin familjeve të ngujuara, me lutjen e sinqertë që All-llahu me mirësinë e Tij ta shërojë shoqërinë tonë nga kjo sëmundje dhe plagë e rëndë!

Me zemër të mirë Ramazanin dhe shpirtin e besimit që ai na sjell, për të gjithë të sëmurët e njerëzit në lëngatë, që do të donin ta agjëronin këtë Ramazan..!

Me zemër të mirë Ramazanin të gjithë punonjësve të rendit, ushtarëve, gazetarëve dhe sportistëve, që agjërojnë në kushte të vështira, duke kapërcyer mbi të gjitha pragun e paragjykimeve provinciale!

Me zemër të mirë Ramazanin, të gjithë të rinjve, që sivjet do të hyjnë për herë të parë në botën e agjërimit, me vullnet të lirë dhe me një ndjenjë përkushtimi të pashembullt!

Me zemër të mirë Ramazanin Shkodërloces sonë të shtrenjtë, All-llahu e begatoftë!

Me zemër të mirë Ramazanin mbarë ymetit islam!

Shkodër, më 8 korrik 2013

     

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Ramazanit 1434/2013 - 9 korrik 2013

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Ramazanit 1434/2013 - 9 korrik 2013

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Ramazanit 1434/2013 - 9 korrik 2013