Pasditën e së xhumasë,
më 21 qershor 2013, Shoqata Kulturore
Humanitare “Burimi” dhe Myftinia Shkodër
kanë organizuar promovimin e dy botimeve
të reja me titull: “Mbi Traditën
profetike” dhe “Për Fjalën më të bukur”,
të teologut Gilman Kazazi, imam i
xhamisë “Ebu Bekër” dhe mësues në
Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”.
Aktiviteti është hapur me leximin e një
pjese kur’anore. Më pas, teologu Arben
Halluni ka bërë prezantimin e qëllimit
të këtij aktiviteti, në qendër të cilit
ishte promovimi i këtyre dy botimeve të
reja, mbështetur nga Shoqata “Burimi”.
Në përshëndetjen e tij, z. Sokol
Mandi, Drejtor i Shoqatës “Burimi”, ka
vënë theksin te nevoja e botimeve të
reja, aq më shumë të atyre që nxisin
vlerësimin e Kur’anit dhe Traditave
profetike të Hz. Muhammedit (a.s).
Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës
Shkodër, ka falënderuar bashkëpunimin me
Shoqatën “Burimi” dhe ka vlerësuar dy
botimet e reja, si një vazhdimësi e
frymës së qytetëruar të hoxhallarëve të
shkuar të Shkodrës.
Më pas kanë referuar regjisori
Armand Bora dhe teologu Durim Kasemi
rreth temave: “Në rrugën e devotshmërisë
- dy libra që shpjegojnë dhe përkujtojnë”
dhe: “Kur’ani dhe Syneti - binomi i
përhershëm i Islamit”.
Në referatet e mbajtura, janë
analizuar dy botimet dhe është vlerësuar
fryma e botimeve të reja nga teologët e
rinj shqipfolës.
Në fund, teologu Gilman Kazazi,
autor i dy botimeve në fjalë, ka
falënderuar të gjithë kontribuuesit për
realizimin e punës së tij, si dhe ka
shprehur kënaqësinë e këtij aktiviteti
me vlerë.Për të ftuarit, është bërë
shpërndarja e dy librave të rinj dhe
është organizuar një ftesë për kafe dhe
çaj.
|
|
|
|