Ditën e mërkurë, më 5
qershor 2013, Myftinia Shkodër ka
organizuar një aktivitet fetar në
përkujtim të Natës së Begatë të Israsë
dhe të Miraxhit.
Aktiviteti ka
nisur me leximin e një pjese kur’anore,
nga z. Ervin Metani.
Më pas,
teologu Arben Halluni ka prezantuar para
të pranishëmve të shumtë, që kishin
mbushur sallën e konferencave, pranë
medresesë së djemve, qëllimin e këtij
tubimi fetar, me rastin e njërës prej
ngjarjeve më të spikatura në jetën e Hz.
Muhammedit (a.s). Ai ka theksuar se Nata
e Israsë dhe e Miraxhit, është një
mrekulli hyjnore, me të cilën u begatua
zemra dhe jeta e profetit Muhammed (a.s),
si dhe iu bë dhurata më e madhe njeriut;
namazi.
Aktivitetin e ka
përshëndetur edhe Myftiu i Zonës Shkodër,
Imam Muhamed Sytari. Në fjalën e tij,
Myftiu është lutur që mesazhet e
përkujtimit të Israsë dhe Miraxhit, të
zgjojnë në zemrat e muslimanëve ndjesinë
e afrimit të përhershëm me All-llahun
(xh.sh), nëpërmjet namazit, si dhuntia e
mrekullueshme e Natës së israsë dhe
Miraxhit.
I ftuar special në këtë
tubim fetar, ka qenë teologu Elmaz Fida.
Në fjalën e tij, ai ka analizuar detaje
nga historia e Israsë dhe Miraxhit dhe
ka dhënë shembuj të shumtë mbi nevojën e
nxitjes dhe përhapjes së frymës së
optimizmit në shoqëritë islame.
Teologu i nderuar, ka përmendur se ymeti
islam është ymet i shpresës, i
optimizmit dhe i dorëzimit para duarve
të All-llahut, nëpërmjet rrugëve të
shumta që Ai i ka ofruar njerëzimit.
Gjatë këtij tubimi fetar është
përcjellë mesazhi i unitetit, harmonisë
dhe bashkëpunimit në mesin e muslimanëve,
si një familje e vetme, e bekuar nga
Zoti dhe e lumturuar me dërgesën
profetike të Hz. Muhammedit (a.s).
Në përfundim të kësaj tribune fetare,
Myftiu i Shkodrës i ka dhuruar teologut
Elmaz Fida, kompletin e “Methnenviut” të
Mevlana Xhelaludin Rumit, si kujtim i
këtij tubimi me vlera fetare e
shoqërore.Pas aktivitetit, pjesëmarrësit
e shumtë kanë falur së bashku namazin e
akshamit.
|
|
|
|
|
|
|
|