Pasdrekën e së
mërkurës, më 5 qershor 2013, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur
në zyrën e tij delegacionin e “Bejtuz-Zekat”,
nga Kuvajti, në shoqëri të Drejtorit të
Shoqatës “Mirësia”, z. Korab Kaja.
Fillimisht, Myftiu ka uruar
mirëseardhjen e delegacionit kuvajtian
në Shkodër, duke theksuar se Shkodra
është qyteti i dijes dhe dijetarëve
islam, duke përmendur një pjesë të
dijetarëve islamë shkodranë, që bëjnë
pjesë në elitën e dijetarëve të botës
islame, prej të cilëve ka përfituar dhe
përfiton mbarë ymeti islam.
Myfti ka bërë një prezantim të
gjendjes së Thirrjes Islame në Shkodër
dhe ka përmendur sfidat e shumta, me të
cilat përballet Myftinia Shkodër,
sidomos në 23 vitet e fundit të
ringjalljes së lirive të besimit në
Shqipëri. Myftiu ka theksuar se Myftinia
Shkodër po lobon ditë pas dite për të
afruar donatorë të ndryshëm për të
rehabilituar infrastrukturën islame në
Shkodrën, qytetin e minareve dhe xhamive
të shumta, që u shkatërruan gjatë
periudhës së errët komuniste.
Nga ana e tyre, miqtë, kanë
falënderuar Myftiun për mikpritjen dhe
kanë theksuar se janë krijuar kushtet
për ta thelluar bashkëpunimin për vepra
të mira, aq më shumë që institucioni i “Shtëpisë
së Zekatit”, në Kuvajt është i
interesuar për të mbështetur projekte të
ndryshme edhe në Shqipëri.
Më pas, Myftiu dhe delegacioni
kuvajtian, kanë inspektuar një prej
pronave vakëf të Myftinisë Shkodër, ku
planifikohet të ngrihet një qendër e re
islame në qytetin e Shkodrës.
|
|
|
|
|