Pasditen e së enjtes,
më 16 maj 2013, në sallën e konferencave
të medresesë së djemve, Myftinia Shkodër
ka organizuar një aktivitet fetar me
rastin e hyrjes së Tre Muajve të Mirë;
Rexheb, Shaban dhe Ramazan.
Aktiviteti ka nisur me leximin e një
pjese kur’anore nga Hafiz Shukri Kapllan.
Më pas ka përshëndetur Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, që ka sinjalizuar
mirësinë e madhe me të cilën Zoti i
gjithësisë e ka begatuar ymetin islam,
duke i dhuruar herë pas here mundësi të
ndryshme afrimi me dashurinë, mëshirën
dhe bujarinë e Tij të pakufijshme.
Myftiu ka thënë se këta tre muaj
janë një mundësi reflektimi dhe kthimi
nga Zoti, për t’u larguar nga rutina e
përditshme, pa dritë besimi, udhëzimi e
mëshire.
Myftiu ka kërkuar nga të pranishmit,
që gjatë këtyre ditëve dhe netëve të
begata, të bëhen lutje edhe për
muslimanët në Siri, në Palestinën e
pushtuar, në Irak, në Burma e në çdo cep
të botës islame, ku “tentakulat e së
keqes kanë vërshuar mbi çdo shtëpi dhe
cep të zonave islame”.
Më pas, programi ka vijuar me
referatet e mbajtura nga teologët Idmir
Plaku (imam i xhamisë “Ebu Bekër”),
Durim Kasemi (imam i xhamisë Parrucë)
dhe Bashkim Bajraktari (imam i xhamisë
Tepe).
Në referatet e mbajtura prej imamëve
të nderuara është folur për këto tema: “Tre
Muajt e Mirë në Kur’an dhe Hadith”, “Vlera
e dhikrit dhe e adhurimeve në Tre Muajt
e Mirë” dhe “Tre Muajt e Mirë dhe vlerat
sociale”.
Me shumë emocion është ndjekur
recitimi i medresistit Erisad Lugjaj, që
ka interpretuar me shumë patos një poezi
të shkruar nga vetë ai.
|
|
|
|
|
|
|