(Refleksione, në
atmosferën e Konferencës Ndërkombëtare:
“Ixhmaja dhe
vetëdija
kolektive”, Stamboll, 27-28 prill 2013)
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
“S'ka dyshim se
besimtarët janë vëllezër…” – ishin
fjalët me të cilat m’u drejtua njëri
prej pjesëtarëve të delegacionit nga
Nigeria, në njërin prej korridoreve të
Pallatit të Kongreseve në Stamboll, në
një orar pushimi, gjatë Konferencës
Ndërkombëtare: “Ixhmaja dhe
vetëdija
kolektive”, që u zhvillua në datat 27-28
prill 2013.
Ishte një ndjesi e mrekullueshme, si
ato që vetëm njeriu besimtar mund të
përjetojë në jetën e tij, aq më tepër
kur takohet me njerëz të të njëjtit
besim, nga vende të largëta, gjuhë,
ngjyrë e kulturë të ndryshme, me të
cilët e lidh një vëllazëri e shenjtë, e
dëshmuar në Fjalën e Zotit dhe e jetuar
për shekuj në mesin e pasuesve të Tij,
mbi tokën, ku zgjodhi të jetojnë këtë
jetë të përkohshme…
Ishte ndjesia e një muslimani
shqiptar, që shtrëngon duart e
vëllezërve të tij muslimanë nigerianë,
në një takim, që ngjante më shumë si një
sofër e madhe e një Familje Besimi
Universale, që përshkohet nga drita e
“La ilahe il-lall-llah Muhammedun
Resulull-llah” dhe rrezaton Paqe,
Dashuri, Mirësi e Vlera në tokën e Zotit
Një.
Fjalia-ajet nga vëllau im, nga
Nigeria, më solli ndër mend një ndodhi
të ngjashme, që e rrëfente shpesh
Kryemyftiu i Sirisë, Hirësia e Tij
Shejkh Ahmed Keftaro. Tregonte se në
njërin prej udhëtimeve të tij në Kinë,
diku në rrugët e Pekinit të largët,
teksa ecte së bashku me shoqëruesit e
tij, një person i kishte tërhequr
vëmendjen me një pyetje të papritur… Ai,
– rrëfente Hoxha -, u ndalua përpara
grupit dhe teksa më vështronte, ashtu si
isha, me çallmë e xhybe, m’u afrua dhe
më pyeti: “All-llahu ekber”? Unë, duke e
marrë me mend se ai nuk e fliste
arabishten, por donte të më pyeste nëse
isha musliman, ia ktheva: “All-llahu
ekber”! Dhe ai, m’u hodh në qafë duke
lexuar ajetin kur’anor: “S'ka dyshim se
besimtarët janë vëllezër”[1]…
Ky takim i papritur, me një grup
vëllezërish nga Nigeria, me 80 milion
muslimanë, ishte pa dyshim, një ndër
emocionet më të bukura të përjetuara
gjatë pjesëmarrjes në konferencën në
fjalë, organizuar nga revistat
prestigjioze “Hira” dhe “Yeni Ümit”.
Teksa shtrëngonim duart, si vëllezër
të vërtetë në fé, dukej se prekje paqeje
e bekimesh hyjnore silleshin përreth
nesh, si për të na mbuluar e për të na
dhënë sihariqet e atyre që takohen dhe
bashkohen për hir të All-llahut, të
rrethuar nga Drita që shpërndan
përmendja e emrit dhe fjalës së Tij…
Në konferencën dy ditore, patëm
mundësi të takoheshim me vëllezër
muslimanë nga mbarë bota. (Moderatori
theksonte se në mesin e rreth pesë mijë
të ftuarve kishte delegacione nga 82
vende të botës). Kishim mundësi të
takonim nga afër dijetarë të afirmuar,
të përshëndeteshim me ta, t’i pyesnim,
pse jo dhe t’i ftonim për vizitë në
vendin tonë.
Mbi të gjitha kishim fatin e mirë të
dëgjonim dijetarë dhe studiues të
afirmuar të botës islame, si: Shejkh Ali
El-Xhuma (Egjipt), Dr. Isam El-Beshir
(Sudan), Shejkh Ahmed El-Khalili (Oman),
Shejkh Muhammed Sad Ebu Bekir (Nigjeri),
Prof. Dr. Muhammed Muhtar Shenkiti (Katar),
Prof. Dr. Suat Yildirim (Turki), Prof.
Dr. Ahmed Abbadi (Marok) etj.
Në
gjashtë seancat e konferencës,
referuesit reflektonin disa emërues të
përbashkët në fjalimet e tyre; bënin
thirrje që bota islame të zgjohet, të
lihet mënjanë tendenca përçarëse në emër
të medhhebeve, mendimeve alternative dhe
fetvave të ngurta a të ngutura. Flitej
për nevojën e madhe për gjetjen e
rrugëve të unifikimit, duke iu referuar
shembullit të sahabëve dhe brezave të
parë, prej të cilëve marrim përherë
udhëzim dhe zgjidhje. Dëshmohej qartas
ftesa logjike për t’u dëshmuar si një
ymet i fortë, besimtar, prodhimtar e
plot mundësi për t’i dhënë botës
zgjidhje dhe shërim për sëmundjet e
krijuara si pasojë e lirisë së shthurrur
dhe mosbesimit, të përhapura kudo,
nëpërmjet rrugëve të ixhmasë në mesin e
muslimanëve.
Ajo që ndjehej
gjithandej në orët e këtij tubimi
vlerash, ishte një përpjekje e udhëzuar
e organizatorëve, për të bashkuar cepat
e botës dhe për të dhuruar eksperienca
diturore dhe studime të argumentuara, që
na afrojnë përherë e më shumë me dritën
e pashuar, të lidhur me shpirtin e
bashkëpunimit, tolerancës në mes vete
dhe vëllazërisë së shenjtë islame.
Edhe në këtë organizim, referuesit,
pa përjashtim, vlerësuan kontributin dhe
sakrificën e madhe të dijetarit dhe
mendimtarit të shquar turk, M. Fethullah
Gylen, që u cilësua si një reformator i
madh i kohës, një murshid i suksesshëm
dhe një dijetar-edukator prodhimtar,
mendimet dhe udhëzimet e të cilit kanë
rezultuar si zgjidhje dhe shërim për
shoqëritë islame, kudo në botë. Jashtë
ambienteve të konferencës, ishin
ekspozuar edhe disa nga botimet më të
spikatura të dijetarit F. Gylen, të
përkthyera në gjuhë të ndryshme dhe të
dëshmuara për largpamësinë e mendimit,
shpirtin e pastër të dashurisë dhe
ftesën për kthim në gjurmët e vlerave
islame.
Një emocion i madh ishte
edhe ai që përjetuam në momentet e
fundit të seancës mbyllëse, kur
moderatori ftoi Kryemyftiun e Omanit,
Shejkh Ahmed El-Khalili për të bërë
duanë e këtij tubimi. Nëpërmjet zërit të
moshuar të Hoxhës së hajthëm, me mjekër
të bardhë, e gjithë salla u përfshi në
një përshpirtësi, që na bënte të ndjenim
më pranë rrezatimet e ajetit, që u bë
dëshmitari ynë në ditët e këtij takimi
botëror: “S'ka dyshim se besimtarët janë
vëllezër…”!
[1] Kur’ani: 49:10.
|
|
|
|
|
|
|