Ditën e xhuma, më 19
prill 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka mbajtur hytben e parë
të xhumasë në xhaminë e re të fshatit
Kuç, ceremonia e inaugurimit të së cilës
u zhvillua një ditë më parë.
Fillimisht, në hytben e tij, Myftiu
ka shprehur emocionin dhe kënaqësinë për
mbajtjen e kësaj hytbeje të parë në një
xhami, ku dominojnë të rinjtë dhe mosha
e parë, të cilët janë një dritë shprese
dhe optimizmi për gjallërimin e kësaj
xhamie të bukur.
Më pas, Myftiu ka folur mbi vlerën
dhe rëndësinë që kanë xhamitë në Islam,
për edukimin e individit dhe shoqërisë
me vlerat e besimit dhe përuljes ndaj
Zotit në jetë. Ndër të tjera ka
përmendur se: “Shoqëria shqiptare,
më mirë se kushdo e di se çfarë do të
thotë të jetosh në luftë me Zotin! Ky
vend është damkosur me çnderimin që i
bënë komunistët duke e shpallur si
vendin e vetëm ateist në botë! Të jeni
të bindur se bijtë e tyre, akoma
vazhdojnë të luftojnë kundër fesë dhe
besimit, tashmë në emër të integrimit
evropian, për mbrojtjen e të drejtave të
gruas, për lirinë e individit e të tjera
thirrje, që në pamje të parë i duam të
gjithë, por që në të vërtetë fshehin
frymën e tyre afetare!”
Myftiu ka kërkuar nga të
pranishmit që ta ruajnë xhaminë, ta
kthejnë në një vend të shenjtë, siç ai
është dhe të bëhen frekuentues të
rregullt të saj, duke e dëshmuar pa
ndrojtje besimin dhe Islamin e tyre. “Të
jesh musliman sot, do të thotë të jetosh
sipas porosive dhe urdhëresave të fesë
tënde dhe të mos ndikohesh nga thirrjet
shterpë të klasës politike dhe të disa
shpirt-shiturve, që bërtasin poshtë e
përpjetë për kthim në “fenë e të parëve”!
Feja e të parëve tanë është Islami! Feja
e jonë është Islami!”- ka përfunduar
Myftiu.
|
|
|