Ditën e xhuma, më 12
prill 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, ka mbajtur hytben e
xhumasë në xhaminë e fshatit Bërdicë e
Mesme. Gjatë hytbes së kësaj xhumaje,
Myftiu ka hedhur dritë mbi atë që e ka
quajtur: “mrekullia e fesë islame;
marrëdhënia e njeriut me Zotin, pa
ndërmjetës”. Myftiu ka tërhequr
vëmendjen e të pranishëmve se nëpërmjet
teksteve kur’anore dhe haditheve
profetike mësohet se në fenë islame,
njeriu është i ftuar ta përmendë All-llahun
dhe t’i lutet në çdo kohë, në çdo formë,
në çdo situatë.
“Kur’ani na mëson se përmendja e
All-llahut dhe lutja e sinqertë janë
shtysa kryesore për një jetë të mbushur
me begati hyjnore dhe mbrojtje nga
shejtani i mallkuar dhe taborrat e tij.
Sot, në realitetet tona ndjehet era e
fëlliqtë e harameve, ngjyresave të
shirkut dhe tërheqjes për t’u ndarë nga
kultura islame në emër të integrimit
evropian a rikthimit në fenë e të parëve.
Në fakt, feja e të parëve tanë është
Islami, të cilin na e kanë mësuar dhe të
cilin duhet ta mbrojmë para tendencave
injorante të një klase misionarësh të
djallit! Mënyra më e mirë për ta
mbrojtur veten dhe fenë është dhikri i
All-llahut! Që do të thotë, që secili
prej nesh duhet të imunizohet me lutjet
ditore dhe dhikret e përditshme,
nëpërmjet të cilave lartësohet
shpirtërisht dhe dritësohet para
errësirave, që djajtë e kohës përpiqen
të përhapin nëpërmjet aleancave të tyre
të shumta, politike, kulturore,
intelektuale etj. Nuk na pengon asgjë në
rrugëtimin tonë drejt dritës së All-llahut
dhe dashurisë së Tij, edhe pse disa kanë
vendosur të shesin shpirtin e tyre dhe
të bëhen vasalë të frymërave mesjetare,
fanatike e ekstremiste!” – ka thënë
Myftiu.
Pas përfundimit të namazeve dhe
lutjeve të kësaj xhumaje, Myftiu ka
zhvilluar një bashkëbisedim të ngrohtë
me besimtarët e pranishëm dhe pjestarët
e këshillit të xhamisë së fshatit
Bërdicë e Mesme. Njëkohësisht, ka
falënderuar imamin e xhamisë, z. Ermi
Duka për kontributin e tij në edukimin e
brezit të ri të kësaj xhamie me frymën e
besimit dhe dashurinë për All-llahun dhe
të dërguarin e Tij.
Më parë, thirrësi islam Lavdrim
Hamja, ka mbajtur një ders të dobishëm
para namazit të xhumasë, ku ka folur mbi
vlerën e përfitimit të kohës për t’u
kthyer nga Zoti dhe besimi i patundur në
Madhështinë dhe Mëshirën e tij.
|
|
|
|
|