Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Ditë më parë,
nëpërmjet mediave mësuam për një
peticion të një klase “intelektualësh”,
të mbledhur nga cepa të ndryshëm të
trevave shqiptare, për një qëllim të
përbashkët; kundër rishikimit të
historisë së periudhës osmane në Kosovë…
Isha në Itali, në një konference tre
ditore, kur mësova nga studiuesi Agron
Tufa, se ndonëse emri i tij ndodhej në
listën e “intelektualëve firmëtarë”, ai
personalisht nuk kishte asnjë
informacion rreth këtij peticioni dhe jo
vetëm që nuk kishte firmosur, por as që
e dinte se për çfarë bëhej fjalë
realisht.
Këtu, m’u kujtuan kohërat e para 10
viteve a më tepër, kur në Shkodër,
nëpërmjet një gazete lokale, një pjesë e
kësaj “klase intelektualësh”, hidhnin
vrerin e tyre komunisto-mesjetar, kundër
vlerave islame dhe identitetit tonë
kombëtar. Thirrja e tyre nervoze,
ndonëse arriti të çonte sadopak pluhur
në një provincë të mbytur nga sistemi
ateist dhe të lënë në harresë nga
përplasjet primitive të politikës
postkomuniste, nuk bëri gjë tjetër vetëm
se e shënoi veten si një gjurmë e hirtë
dhe një thirrje shterpë dhe e dëshpëruar
në një kohë tranzicioni vlerash.
Akoma sot, herë pas here, disa nga
këta “intelektualë”, shfaqen si
lakuriqët e natës, duke dalë nga
vendpushimet e tyre të errëta, për të
sjellë duhmën e frymës së tyre mesjetare…
Mirëpo, megjithë realitetet bardh e zi,
nëpër të cilat kalon Shkodra në veçanti
e, vendi në përgjithësi, ata vazhdojnë
të vegjetojnë si misionarë të devotshëm
të po asaj fryme që dikur thurrte
legjenda e mite në faqet e një historie
të shenjtëruar nga komunizmi dhe bijtë e
tij shpirtëror…
Por, a duhet realisht sot, të
vazhdojmë të besojmë akoma në legjenda
të trilluara e histori të sajuara, vetëm
e vetëm për të mbrojtur një frymë
ateiste dhe femohuese, që për dekada të
tëra nuk la gjë pa bërë si e si ta
zhvishte individin shqiptar nga
identiteti dhe kultura e tij islame dhe
ajo e besimit në përgjithësi!?
A duhet sot muslimanët shqiptarë, të
vazhdojnë të ndjehen inferiorë karshi
zhvillimeve të vendit dhe integrimeve
evropiane, për faktin se kanë zgjedhur
të besojnë dhe të jetojnë në të njëjtën
fé, si ajo e atyre, me të cilët
bashkësunduan botën për shekuj, si
kryeministra, ministra e njerëz me
pushtet, vetëm e vetëm se lakuriqët e
netëve mesjetare nuk e duan këtë?!
Në rastin më të keq, atë të pranimit
të kësaj historie ashtu si në librat e
përkthyer nga latinishtja e të
shenjtëruar më pas nga komunizimi, përse
duhet të ndjehen në faj muslimanët e
sotëm e të dëgjojnë këmbanat e
lakuriqëve mesjetarë, që flasin e
shkruajnë pa fre kundër Islamit dhe
vlerave islame, në një shoqëri me një
përqindje dominuese islame? Me çfarë të
drejte? Me çfarë arsyetimi? Apo, se jemi
“modeli i tolerancës për mbarë botën”
dhe i kemi ndonjë borxh kujtdo që flet
përçart dhe nuk arrin të vetëpërmbahet
nga nervozizmi histerik?
Pseudointelektualëve që hedhin shashkat
e tyre të injorancës mesjetare, me
shtirjen kameleoneske dhe mllefin e
vjetër komunist, teksa brohorasin si të
shastisur për Evropën dhe shitjen e
shpirtit, si të ishte mall gabi, u themi:
NE JEMI KËTU, KY ËSHTË ATDHEU YNË, KJO
ËSHTË FEJA E JONË! LUTEMI PËR JU, ALL-LLAHU
JU UDHËZOFTË DREJT DRITËS SË TIJ!
|