Ditën e xhuma, më 29
mars 2013, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, ka mbajtur hytben e
xhumasë në xhaminë e fshatit Drisht në
Komunën Postribë.
Në fjalën e tij para besimtarëve të
pranishëm, Myftiu ka shprehur fillimisht
dhembjen e tij të madhe për realitetin e
mjerë të rrugës që shpie nga Ura e Mesit
deri në fshatin Drisht. Myftiu ka
shprehur habinë sesi, për 23 vite, nga
periudha e postkomunizmit e deri më sot,
askush nuk është interesuar për
realitetet e këtij fshati, banorët e të
cilit jetojnë në varfëri e skamje dhe
udhëtojnë çdo ditë në një rrugë jashtë
çdo standarti njerëzor.
Më pas, Myftiu ka shprehur
zhgënjimin e tij nga drejtuesit e
Komunës Postribë dhe ata të Qarkut
Shkodër, që nuk dhanë asnjë ndihmë për
të pastruar territorin vakëf të xhamisë
Drisht nga zaptimi Ilegjitim i tij, fakt
që ndaloi ndërtimin e xhamisë së re në
këtë fshat. “Megjithë këto fakte, asgjë
nuk do të na ndalë për të realizuar
qëllimin tonë për ndërtimin e xhamisë së
re në tokën e shenjtë të muslimanëve të
Drishtit!”- ka thënë Myftiu, që ka
nxitur nisjen e punës për organizimin e
fushatës për mbledhjen e fondeve, si dhe
dhënien e një rrugëzgjidhje për
ndërtimin e një xhamie të re dinjitoze
për besimtarët e këtij fshati.
Gjatë hytbes së xhumasë, Myftiu ka
folur edhe për vlerat e dhikrit,
përmendjes së vazhdueshme të All-llahut
dhe nevojën e mospajtimit me realitete,
që vazhdojnë të na mbajnë peng, larg
qëllimeve dhe orientimeve të fesë dhe
besimit.
Pas përfundimit të namazit të
xhumasë, Myftiu ka zhvilluar edhe një
bashkëbisedim me besimtarët e kësaj
xhamie, ku është diskutuar edhe për
realitetin e vakëfit të zaptuar,
domosdoshmërinë e ndërtimit të një
xhamie të re, pasi xhamia aktuale,
përveçse monument kulture, është në një
gjendje shumë të amortizuar dhe rrezikon
ditë pas dite besimtarët e saj
frekuentues.
|
|
|
|