Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Në një hark kohor njëmujor, bota islame dhe mbarë ymeti, u sprovua me humbjen e dy prej dijetarëve islamë dhe korifejve më të mëdhenj të kohës në Damask të Sirisë, aty ku All-llahu i Madhëruar ka grumbulluar ajkën e dijetarëve dhe edukatorëve të kësaj bote ndër shekuj…
           
Me 19 shkurt 2013, morëm lajmin e ndërrimit jetë të Hoxhës tonë të dashur, Zotërisë tonë, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, në moshën 90 vjeçare. Të dorëzuar para kaderit hyjnor të gjërave në jetë, dhembja dhe mërzia njerëzore që na kaploi, ishin të papërshkrueshme. Na dukej vetja si jetimë, pa babë.., ndonëse Besnikët e Resulull-llahit (a.s), ulematë e ymetit, nuk sosen kurrë, trashëgojnë Dritën e Besimit dhe Besën e Dijes, brez pa brezit.
           
Ndërkohë, më 21 mars 2013, morëm lajmin tronditës për ndërrimin jetë të dijetarit të madh e të shquar, Prof. Dr. Shejkh Muhammed Said Ramadan El- Buti, në moshën 84 vjeçare.

Dijetari i pashoq, nga thellësia e dijes së të cilit u udhëzuan me qindra e mijëra në mbarë botën, mbeti si një gjurmë e pashuar udhëzimi, në faqet e librave të tij pafund... Dijetari, që debatonte me ateistët, duke i lënë të shastisur. Alimi, që kundërshtonte ekstremizmin injorant në fe dhe dilte përherë triumfues me dritën e argumentit. Komentuesi logjik dhe i urtë i ajeteve kur’anore dhe haditheve profetike, që shpesh trazonte mendjet e ngurta dhe lexuesit e çthurrur të tyre.

Njeriu me zemër të madhe sufiste, që kundërshtoi haptas injorancën, që shpesh përzihet me nijetin e mirë e dijen e trashëguar, në mesin e pasuesve të urdhërave sufiste në botë. Intelektuali i thelluar në akiden e Ehli Sunneti Vel-Xhemaas, më i madhi Prijës i kësaj dije në kohën tonë!
           
Ndërrimi jetë i Hoxhës së madh, Doktor Butit, (ashtu si njihej natyrshëm në rrethet shkencore e teologjike) na lëndoi pa masë për shumë arsye. Për largimin e tij fizik, për pamundësinë për të dëgjuar në vijimësi zërin e tij të mekur e tingullin e tij të ëmbël, sidomos kur lutej në përgjërim para duarve të All-llahut Mëshirues.  

Na lëndoi, se në murin e këtij ymeti u hap një vrimë e madhe, që nuk mund të mbyllet veçse me një pasues të denjë e të aftë të nivelit të tij.
Doktori, nga kjo ditë do të njihet edhe si: Shehidi i Mihrabit, sepse, aty bri mihrabit të xhamisë Iman, me Kur’an në dorë e në rrjedhën e dersit të tij të përjavshëm, ra shehid…

Atentati ndaj Hoxhës, është atentat ndaj Islamit. Atentati ndaj besimtarëve të pafajshëm që shkuan shehidë (inshallah), bashkë me Hoxhën e tyre, është atentat ndaj pafajsisë dhe besimit! Atentati ndaj mufesirit të Kur’anit, me Kur’an në dorë, është në të vërtetë atentat ndaj vetë Kur’anit. Atentati ndaj xhamisë, është një përpjekje e dështuar për të shuar një Dritë, që kurrë nuk mund të shuhet, sepse burimi i saj është vetë Nuri i All-llahut!

Kushdo që fshihet pas kësaj ngjarje makabre, që duhet të trondisë mbarë botën islame, është Hizbushejtan, me të cilin (a me të cilët), na ndan besimi, bindja dhe me të cilët jemi përherë në armiqësi, që në krijim të njeriut të parë…
           
Por, megjithë dhembjen e madhe dhe tymnajën e thashethemnajës xhahile që rrethon emrin e madh të Shejkh Butit si dijetar, (sidomos nga frymëzues të një fryme mbytëse e ngurtësuese të kuptimeve të Kur’anit dhe Hadithit), fundi i tij është fundi i njerëzve të përzgjedhur…  Ai shkoi shehid, -kjo është shpresa e jonë në All-llahun,- në xhami, në një mexhlis dije, me Fjalën e Zotit në gojë, me frymën e udhëzimit në shpirt, me dëshirën e afrimit të njerëzve me dyert e pendimit si kredo…
           
Dhe, u ktheva në memorie, duke dëgjuar predikimin e tij të fundit nga xhamia e madhe e Damaskut… Ai vazhdonte të ishte po ai; udhëzuesi, udhërrëfyesi, thirrësi i pushtetarëve, drejtuesve dhe ushtrisë së Sirisë, në ditët e saj më të vështira (e rrethuar nga komplotet armiqësore të vjetra dhe pabesitë e reja),  për pendim para duarve të All-llahut. Dhe ai që kërkon pendimin e dikujt, e di mirë se ai e ka kaluar cakun, ka prishur në tokë, ka mbjellur fesad e ka ka kaluar caqe, që nuk duheshin shkelur…
           
Nga minberi i Beni Ummejes, në Damask, Shejkh Buti qante e lutej, në ditët e fundit të një jete të mbushur me dije, përkushtim, udhëzim, por edhe përfolje (shpesh të nxituara) për arsyetime dhe analiza, që më vonë do t’i mësojmë se a kanë qenë të drejta apo ajo.., por që sido që të jenë, do të mbeten në kuadrin e mendimeve dhe analizave të një dijetari të madh e të pashoq, në harkun e një shekulli të vështirë për ymetin islam…
           
Do të kujtohet përherë si njeriu i thjeshtë e asket në jetë, dijetari i thellë dhe aspak tolerant ndaj injorancës, ngurtësimit, fanatizmit të pabazë, ekstremizmit primitiv, keqpërdorimit të fesë dhe mungesës së edukatës në hak të Zotit, të Dërguarit të Tij, eulijave dhe të dashurve të Tij.            

Do të kujtohet si dijetari i thellë me zemër të butë, me zërin e mekur dhe lotin në prag të syrit, që përherë na mësoi si ta duam Zotin dhe si të afrohemi drejt Tij me dashuri, dije, përkushtim dhe dhikër pafund…

  

Kohë ndarjesh të mëdha, sprovash të mëdha..!